
Kryebashkiaku i Gdanskut, në Poloni, Pavel Adamoviç, ka vdekur disa orë pasi u sulmua me thikë në skenën e një koncerti bamirësie mbrëmjen e së dielës. Adamoviç, 53 vjeç, i cili e ka mbajtur postin e kryetarit të bashkisë që prej vitit 1998, iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale gjatë natës, por pa sukses.
Autori i sulmit është një 27-vjeçar nga Gdansku, me precedentë të dhunshëm, i cili ishte liruar nga burgu një muaj më parë. Pas sulmit me thikë, ai u tha të pranishmëve se ish-partia e Adamoviç, Platforma Civile, kishte qenë fajtore për burgosjen e tij në vitin 2014.
Adamoviç, një figurë popullore dhe kryebashkiak liberal, ka qenë shpesh shënjestra e urrejtjes për ekstremin e djathtë, kjo për shkak të qëndrimeve të tij të hapura në mbrojtje të emigrantëve dhe të drejtave të komunitetit LGBT. Megjithatë, nuk ka prova që ky i fundit është një sulm me motive politike.
Vrasja e Adamoviç, kryetar bashkie për 6 mandate rresht, tronditi të gjithë Poloninë. Politikanët vendas e dënuan sulmin. Po ashtu, edhe Donald Tusk, president i Këshillit Europian dhe ish-lideri i Platformës Civile, shprehu dhimbjen për humbjen e tij.
“Pavel Adamoviç, kryetar bashkie i Gdanskut, njeri i solidaritetit dhe lirisë, një europian, miku im i mirë, është vrarë. Shpirti i tij u prehtë në paqe”, shkroi ai.



