
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e dhenë për ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, e cila u caktua nën “Arrest shtëpie”, pas akuzave për ryshfet.
Më 13 korrik, ishte Gjykata, e cila e mori këtë masë, pas hetimeve nga SPAK.
Po e njëjta masë, “arrest shtëpie” është vendosur edhe për Majlinda Hasanin dhe Florida Beun, të cilat i dhanë para dhe ndikuan te ish-zv.ministrja për t’u punësuar në Ministri. Rovena Voda akuzohet se ka marrë 1.000 euro, një celular dhe një arkë me peshk nga dy gra të tjera, me qëllim punësimin e njërës prej tyre në administratën shtetërore.
SPAK kishte nisur një hetim tjetër në vitin 2019 dhe rastësisht në përgjime kishte dalë dhe ish-zv.ministrja Rovena Voda. Kjo e fundit i ka premtuar Florida Beut se do ta punësonte si specialiste në Ministrinë e Brendshme dhe për këtë kishte ndërhyrë në DAP.
Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) cilësohet se bëhet fjalë për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Më 13 shkurt 2020, avokatja Majlinda Hasani është takuar me Florida Beun dhe zv.ministren Rovena Voda. Florida Beu i ka kërkuar Vodës t’i gjente një vend pune dhe menjëherë kjo e fundit ka telefonuar një person tjetër.



