Nga Zamir Alushi
Sot Basha e kaloi “vijën e kuqe” dhe bëri thirrje për luftë. Kush e frymëzoi shefin e opozitës, poezia e Nolit “Anës lumenjve”, apo fjalët e Tony Montana-s në fund të filmit “The world is mine”? Kjo është deklarata e kryetarit të PD-së, në çadrën e protestës në bulevard: “Doni luftë, luftë do të ketë! Qytetarët do të fitojnë! Shpojuani gomat e makinës, thyejani dritaret, nxirrini nga zyrat atyre që ju shkelin të drejtat tuaja! Ngrihuni, protestoni, reagoni!”.
Idenë e kryengritjes, shefi i opozitës e shtjellon më tej: “Askush të mos kujtoj se kjo është lojë dhe se po luajmë me popullim, t’i bëjnë mirë llogaritë mirë, përndryshe vala popullore do t’i fshijë nga zyrat. Kjo është një lëvizje popullore pa kthim, nuk është një manifestim partiak. Populli ka duruar mbi kurriz padrejtësitë, populli nuk mund të durojë më. Durimit i ka ardhur fundi. Boll me provokime, me akte të paligjshme ndaj qytetarëve, në kurriz të biznesit. Kur zemërata popullore të ngrihet nuk do të gjeni vrimë miu për t’u futur”.
Në vija të përgjithshme është dhënë edhe skema e kryengritjes. Në fillim do të merren zyrat e Televizionit publik (kështu e kanë grushtet e shtetit, kështu është bërë edhe në 14 shtator 1998 nga PD-ja). “Ne me këngë, dhe me akte paqësore, ata me pushime nga puna dhe kërcënime. Thoma Gëllçi, o pleh do të të tërheqim zvarrë nga Televizioni Shqiptar.
Ora jote po vjen, ora e çdokujt që abuzon me shqiptarët, zvarrë do të hiqesh nga ai post ku të kanë vënë për t’i shërbyer interesave të korruptuara. Ta di mirë çdo kush që godet qytetarët, që godet protestën se do t’i marrim zvarrë në këtë shesh”, kërcënoi Basha. Nisur nga veshja që përdor këto ditë Basha, në pamjen e jashtme më tepër i ngjan Tony Montana-s. Krahasimi çalon, por fjalët e tyre janë identike. Po ashtu, idealet. Të dy personazhet kanë të përbashkët pushtetin: Tony kishte fuqinë e krimit, ndërsa Basha ka pushtetin e familjes Berisha.
Të dy e humbin në fund fuqinë dhe zemërohen). Ndërkohë, nuk gjej dot ngjashmëri me rumunët (siç ka kërkuar të binjakëzohet), sepse krerët e PD-së janë subjekte të vetingut. Basha nuk i ngjan edhe Berishës së 14 shtatorit, sepse i mungon një i rënë dëshmor (Azemi), që të revoltojë njerëzit.
Heqja nga puna nuk është motiv që t’i çojë njerëzit drejt dhunës. Jemi qytetarë, ka gjykata që i zgjidhin mosmarrëveshjet civile. Nuk gjej dot lidhje me Fan Nolin, sepse ai ishte njeri i letrave dhe i fesë. Kur shpërtheu kryengritja e forcave të Mbretit Zog, kryeministri vazhdonte të luante në piano. Ai nuk ishte në jetë, siç shkruante në poezitë e tij kundër mbretit.



