Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës, rreth 9 kilometra larg qytetit të Elbasanit, ku si pasojë tre persona kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:55, në aksin rrugor Rrethrrotullimi i Bradasheshit – Balldren, pranë mbikalimit të Paraburgimit.
Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë një tentativë për parakalim, e cila ka sjellë përplasjen me një automjet tjetër.
Si pasojë, njëri prej mjeteve ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur tre persona. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, me plagë të shumta dhe fraktura, ndërsa dy të tjerët kanë pësuar dëmtime më të lehta.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.



