
Policia ka arrestuar 22-vjeçarin Erisjaldo Gjuta, i cili rezulton të jetë i dashuri i 18-vjeçares së vetëplagosur mëngjesin e 14 shkurtit në një hotel në zonën e Saukut. Ndërkohë vijojnë të shpallur në kërkim babai i 22-vjeçarit dhe një kushëri tjetër që ka ndihmuar në transportimin e të resë nga hoteli në spital.
Pas arrestimit ai ka deklaruar se ka ndodhur jashtë me të atin në momentin që ka dëgjuar të shtëna arme. Sipas rrëfimit të tij në polici është ngjitur me vrap në dhomën ku ndodhej e dashura Natalia Murati. Fillimisht ka tentuar t’i japë ndihmën e parë, por kur ka konstatuar sipas tij që gjendja është serioze, kanë vendosur bashkë me familjarët ta çojnë në spital.
Pistoleta nuk është gjetur ende, ndërsa 22-vjeçari në deklarime mohon të ketë dijeni për të. I dashuri i vajzës, Erisjaldo Gjuta, akuzohet për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”.
Më herët policia arrestoi edhe Vladimir Gjutën, i cili është xhaxhai i Erisjaldo Gjutës. Në vitin 2015, Vladimir Gjuta u akuzua se ishte autori i vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm të kohës, Saimir Tahirit. Edhe pas shpërthimit me tritol, ai i dërgoi mesazhe kërcënuese Tahirit, çka e detyroi ministrin të lëvizë me masa të larta sigurie.
Më 10 shkurt 2020, Vladimir Gjuta u ndalua nga punonjësit e Gardës pasi ishte afruar shumë pranë selisë së Partisë Socialiste në Tiranë, aty ku ndodhej dhe kryeministri Edi Rama. Në brez iu gjet një pistoletë me 18 fishekë dhe mbi 100 mijë euro në çantë. Ai u dënua me 5 vite burg për armëmbajtje pa leje.



