
Zjarri në tregun “5 Maji” është riaktivizuar sërish gjatë ditës së sotme. Zona është e mbuluar nga tymi, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e plotë të flakëve dhe neutralizimin e vatrave të mbetura.
Gazetari Besmir Pula tha për “MCN Live” se edhe sot janë evidentuar disa zona ku zjarri është riaktivizuar, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak i rënies së flakëve ka qenë një shkëndijë elektrike.
Forcat zjarrfikëse vijojnë të qëndrojnë në terren, pasi ka ende disa vatra aktive pranë zonës së djegur. Dyshohet se zjarri ka nisur nga një shkëndijë elektrike në një prej dyqaneve brenda kapanonit dhe flakët janë përhapur më pas në ambientet ngjitur.
Kapanoni ku nisën flakët e para kishte në brendësi materiale tekstile dhe të tjera lehtësisht të ndezshme, çka bëri që zjarri të përhapej me shpejtësi dhe të kalonte edhe në një kapanon të dytë. Kapanoni i parë është shkrumbuar totalisht.
Deri më tani, të paktën 50 subjekte që ushtronin aktivitet tregtar në kapanonin ku nisi zjarri janë djegur plotësisht.
Gazetari Pula bëri me dije se ka komunikuar me disa tregtarë, të cilët prej rreth 20 vitesh ushtronin aktivitet në këtë treg dhe se dëmet materiale janë shumë të mëdha.
Ata raportojnë se dëmet janë kolosale dhe se humbjet për secilin subjekt mund të shkojnë deri në 200 mijë euro, pasi mallrat ishin grumbulluar ndër vite për të mbajtur aktivitetin tregtar.
Ndërkohë, tregtarët deklarojnë se ambientet nuk i kishin të siguruara.
Ata shprehen se paguanin vetëm qiranë pranë sh.a. “Uzina Dinamo”, e cila varionte nga 380 deri në 450 mijë lekë në muaj, në varësi të sipërfaqes së ambienteve, me një çmim prej rreth 11 mijë lekësh për metër katror.



