Lëvizja qytetare që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë do të mbajë sot protestën kombëtare në Tiranë, ku, sipas organizatorëve, pritet të marrin pjesë qytetarë nga i gjithë vendi, si edhe përfaqësues të diasporës shqiptare.
Njoftimi u bë gjatë protestës së 62-të radhazi, e zhvilluar një natë më parë para Kryeministrisë, ku organizatorët vijuan thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas tyre, protesta e 1 gushtit përfaqëson një nga mobilizimet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje, ndërsa theksuan se pjesëmarrja e diasporës do të jetë një element i rëndësishëm i tubimit.
Ndërkohë, komunitete të ndryshme të diasporës shqiptare kanë shpërndarë në rrjetet sociale njoftime dhe thirrje për pjesëmarrje, duke ftuar shqiptarët brenda dhe jashtë vendit t’i bashkohen protestës që do të zhvillohet në Bulevard.
Gjatë protestës së fundit, organizatorët u bënë apel qytetarëve për pjesëmarrje sa më të gjerë, duke deklaruar: “Ka nisur numërimi mbrapsht. Vrisni frikën, merrni pjesë në protestë. Rama i ka ditët e numëruara.”



