Albpetrol drejt degradimit. Humbjet arritën 56 milion € në fund të vitit 2021

Albpetrol drejt degradimit. Humbjet arritën 56 milion € në fund të vitit 2021

Të gjitha kompanitë e prodhimit të naftës në të gjithë botën po shtojnë fitime marramëndëse për shkak të rritjes së çmimeve, por njëra prej tyre po del me humbje: ajo është kompania publike shqiptare e prodhimit të naftës Albpetrol.

Të dhënat e siguruara nga Kronos tregojnë se në fund të vitit 2021, kompania shtetërore e prodhimit të naftës rezulton të ketë një humbje në vlerën 56.6 milion euro.

6 vjet më parë, Albpetrol renditej kompania e tretë më e madhe në Shqipëri mes kompanive që janë në zotërim të shtetit dhe e 11-ta më e madhja në listën e gjithë firmave që operojnë në territorin shqiptar.

Nëntoka e Shqipërisë njihet për rezervat e mëdha të lëndës hidrokarbure dhe renditet e dyta më e madhja për fushat naftëmbajtëse në gjithë pjesën e Europës Kontinentale.

Por edhe pse jemi një vend i pasur me naftë, pasuritë e nëntokës nuk vilen as nga shteti as nga qytetarët, madje shqiptarët paguajnë çmimet më të larta të karburantit në botë.

“Hidrokarburet kanë qenë sektori më jetik i ekonomisë shqiptare dhe pjesa më e industrializuar e saj. Kemi 10 herë më pak fitim dhe të ardhurat kanë rënë në mënyrë drastike me 18 herë krahasuar me vite më parë”, thotë eksperti i qendrës Altax, Eduart Gjokutaj.

Albpetrol siguron të ardhura duke marrë 10% të prodhimit nga koncesionarët që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare (renta) dhe një përqindje të caktuar në formën e prodhimit paraekzistues. Sasia mesatare vjetore shkon nga 50 deri në 60 mijë ton në vit.

Vetë Albpetrol administron mbi 1200 puse, të cilat vlerësohen të kenë një rezervë prej 18 milion ton naftë. Në qendrën e prodhimit të Fierit, kompania nxjerr naftë nga puset Cakran – Mollaj dhe një pjese të Patos Marinzës. Një tjetër qendër prodhimi është ajo e Gorishtit, që ka vendburimet Koculit, Amonicës dhe Karbunarës, dhe qendra e tretë ndodhet në Kuçovë.

Këto puse nxjerrin afërsisht 80 mijë ton naftë në vit, e në varësi të përfitimit të naftës nga koncesionarët, Albpetrol mund të administrojë çdo vit mbi 120 mijë ton nga ari i zi i nëntokës tonë. Por pavarësisht kësaj pasurie, vlera e të cilës ka arritur çmime rekorde në bursa, kompania ka akumuluar miliona euro humbje gjatë viteve të fundit.

Që nga 2017-ta dhe deri në fund të vitit që 2021, humbjet e mbartura arrijnë 56.6 milion euro. Në 2018-n humbjet e akumuluara ishin 43.8 milion euro, një vit më pas u arrit një fitim i vogël prej 7 mijë euro, ndërsa pandemia thelloi më tej bilancin negativ me 13.1 milion euro humbje për shkak të uljes së çmimeve të naftës në bursa. Kompania shpenzoi 30 milion euro gjatë pandemisë, por arriti të shiste vetëm 16 milion euro naftë. Në vitin 2021 u arrit të lidhej një kontratë për shitjen e 100 mijë ton naftë, por dhe këtë herë fitimi ishte modest: 100 mijë euro. Albpetrol arkëtoi 46.9 milion euro dhe shpenzoi 46.8 milion.

Ekspertët mendojnë se situata lidhet më shumë me keqmenaxhimin, se me rënien e aseteve të saj. “Kompania është përdorur për qëllime elektorale, është keqmenaxhuar me shpenzime pa kriter, tendera abuzive dhe në marrëdhënie me kontraktorët ku vilen të ardhura për kompaninë. Janë mbi 150 milion euro detyrime që Albpetrol duhet t’i arkëtonte nga kompanitë e tjera, por është e pamundur pasi një pjesë e kompanive ose kanë mbyllur aktivitetin, ose kanë shpallur falimentin. Këto detyrime që Albpetrol ka ndaj të tjerëve ose që të tretët kanë por nuk mund t’i tërheqë ulin vlerën e aseteve të saj, dhe humbjet nëse këto llogariten mund të jenë dhe më të mëdha” thotë gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri.

Në total borxhet ndaj kompanisë arrijnë157 milion euro, ndërsa vlera e kapitalit 115 milion euro. Shoqërinë e mbajnë gjallë rezervat e fushave të naftës. Në vlerësimin e fundit ato kapën një vlerë prej 212 milion euro, nga 330 milion që vlerësoheshin 10 vjet më parë.

Edhe pse prej vitesh ekspertët kontabël japin “Opinion me rezervë”, ku disa nga treguesit kryesorë financiarë dhe iventarët e depozitave të naftës janë të pabesueshme, kompania nuk ka marrë asnjë masë për rregullimin e tyre. Në maj të vitit të shkuar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka kërkuar nisjen e punës për ndryshimin e raportit financiar:“Shoqëria të marrë masat e duhura për zgidhjen e çështjeve të shtruara në raportin e  Audituesve të Pavarur në seksionin “Bazat për Opinionin me Rezervë” konform Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit.”

Por edhe pse këto rekomandime janë bërë disa herë, Opinioni me Rezervë dhe humbja financiare ka vijuar. Sot Albpetrol merr para vetëm nga një kontratë që ka lidhur për shitjen e 120 mijë ton naftë në qershor të vitit të shkuar me firmën Europetrol në Durrës. Kërkesa për naftë në tregjet globale sot nuk mungon, por kompania shtetërore ka zgjedhur që naftën ta shesë në tregun e brendshëm, me 73% të vlerës që ka një fuçi në bursa. Bankers Petroleum që është kompani private e shet me 83% të çmimit në bursa. Ekspertët thonë se tregu i brendshëm nuk ka shumë operatorë që të ketë kërkesë për këtë lëndë, ndaj dhe ata kanë fuqi negociuese të çmimit dhe shohim që shpesh anullojnë ankandet për të caktuar çmim në favor të tyre.

“Është pjesë e një skeme që mund të përshkruhet si monopson, ku shitësi ka vetëm një blerës që mund të shesi dhe ai blerës të dikton ty kushtet dhe çmimin. Nëse nuk ke mundësi që ta shesësh në vend tjetër je i detyruar të pranosh kushtet që të vendos blerësi. Nëse naftën do ta shisnin vetë kompanitë koncesionare dhe rentën Albpetrol do ta merrte në vlerë do ta zgjidhte këtë situatë, po rata duan t’i bëjnë tenderat vetë.” thotë gazetari Klodian Tomorri.

Me sasinë që shiti një vit më parë për firmën Europetrol Albpetrol po arkëton rreth 70 milion euro nga të paktën 80 milion euro që do të merrte nëse do e shiste me çmimin e Bankers Petroleum.

Këto para zbutën disi situatën financiare, por nuk rikupueruan humbjet e thella të 5 viteve të fundit. Në krizën e çmimeve të larta dhe në rastin kur mund të siguroheshin fitime të mira, sërish humbjet arrijnë në rreth 35 milion euro, por ky rezultat financiar nuk është firmosur ende nga audituesit ligjorë.

Vlera e aseteve të Albpetrol llogaritej në 300 milion euro gjatë vlerësimeve që kreu firma konsulente “Patton Bogs” në tentativën e qeverisë Berisha për ta privatizuar. Sot kjo vlerë ka rënë me 1 të tretën, ndërsa kompania është zhytur në një skemë borxhesh dhe proceses gjyqësore ku ajo u detyrohet palëve të treta miliona euro dhe anasjelltas.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy