Eksperti i ekonomisë Pano Soko, në “MCN Live”, deklaroi se rritja e çmimeve të karburanteve ka sjellë miliona euro më shumë të ardhura për kompanitë dhe buxhetin e shtetit, ndërsa barrën kryesore po e mbajnë qytetarët shqiptarë.
Sipas Sokos, efekti final në ekonomi është negativ për konsumatorët, pasi fitimet e një pjese të tregut vijnë direkt nga humbjet e qytetarëve.
Në fund shuma do dali zero, nëse dikush fiton dikush tjetër ka humbur. Arkat e kompanive kanë shtuar diku te 40 milionë euro dhe ata që i kanë paguar janë qytetarët.
Ai kritikoi mënyrën sesi qeveria ka reaguar në periudha krizash, duke theksuar se roli i institucioneve nuk është të përfitojnë financiarisht nga situata, por të mbrojnë qytetarët dhe të minimizojnë goditjen ekonomike ndaj tyre.
Merita është kur qeveria në periudha krizash arrin të ruajë një ekuilibër dhe goditja që i vjen qytetarit të jetë sa më e ulët. Nëse qeveria ecën me logjikën e grabitqarit, kjo nuk është mendësi qeverie.
Eksperti i ekonomisë solli si shembull tregun e naftës, duke argumentuar se rritja e çmimeve nisi menjëherë pas lajmeve për luftën dhe tensionet ndërkombëtare, edhe pse furnizimet ishin nisur përpara krizës.
Nafta që është nisur nga Hormuzi në 28 shkurt ka mbërritur në porte në fund të prillit, pra ishte nisur para krizës, por çmimi u rrit menjëherë me lajmin. Krijohet mjedisi i frikës dhe pasigurisë dhe spekulantët e shfrytëzojnë këtë.
Sipas tij, i njëjti mekanizëm po aplikohet tashmë në shumë shërbime dhe sektorë të ekonomisë, ku paralajmërimet për rritje çmimesh po ndikojnë psikologjikisht tek konsumatorët dhe po krijojnë terren për abuzime.
Propaganda që do të rriten çmimet jep efekt negativ duke përgatitur popullin për rritje. Spekulanti e shfrytëzon këtë situatë.
Në analizën e tij, Soko ngriti shqetësimin edhe për nivelin e ulët ekonomik të qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se shumica nuk kanë mundësi kursimi dhe janë të ekspozuar ndaj çdo rritjeje çmimesh.
“90% e Shqipërisë nuk është në nivelin që kursimin mund ta ketë si opsion.
Ai hodhi akuza të forta edhe ndaj institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit dhe luftën kundër informalitetit.
Evazioni fiskal 60-70% në Shqipëri është me leje, është informalitet i formalizuar. Lejohet nga inspektori, drejtori apo ministri dhe diku tjetër fare afër edhe kryeministri.



