
Këngëtari nga Kosova Arbër Salihu i njohur me emrin artistik ‘La Fazani’, pas suksesit si fitues i Festivalit të parë të Këngës në RTK në Kosovë, vjen me albumin pikant të titulluar “Specie turshi”.
Për shikuesit e programit të mëngjesit, La Fazani u shpreh se albumi erdhi përmes një metafore e izolimit të shoqërisë në disa dimensione.
Sa i takon emrit artistik që kam, është një lojë fjalësh, për karakterin e zogut fazan shumëngjyrësh dhe konceptin e një ‘llafazani’.
Ndërsa albumi im më i ri që u promovua të premten i titulluar “Specie turshi” vjen si një potpuri e përbërë nga gjashtëmbëdhjetë këngë. Jam munduar të sjell një koncept artistik që përmban observime dhe reflektime përmes lirikës e tingujve kompleksë, të cilat në fund të albumit shndërrohen në mesazh frymëzues.
Speca turshi, është përfaqësim i kësaj shoqërie si njëfarë ndjenje e ngecjes në kavanoz, si metaforë e izolimit të shoqërisë në disa dimensione, pra nuk je i qasshëm më një botë.
Ne në Kosovë jemi të fiksuar më speca turshi dhe krejt kjo situata politike unike na ka shndërruar në një tjetër specie.
La Fazani foli edhe për eksperiencën e veçantë si fitues i vendit të parë në Festivalin e Këngës në RTK.
Kënga ime “Oj Kosovë”, është fituese e vendit të parë në festivalin e këngës në RTK.
Për mua kjo është ndjenjë e veçantë dhe ndjehem krenar.
Jam gëzuar më shumë për faktin se ishte festivali i parë dhe komuniteti muzikor në Kosovë ka qenë shumë i lumtur se arritëm që të bëhet një festival për herë të parë i këtij niveli, që do mbahet mend, sepse ne këtu nuk mbahemi shumë për organizim festivalesh.
Kjo ishte një storie suksesi dhe edhe pse nuk po na lënë të marrim pjesë në Eurovision, megjithatë festivali arriti suksesin e tij.



