Unioni Turistik në dokumentin dërguar kreut të shtetit kërkon subvencionim dhe përjashtim nga tarifat e reja të energjisë deri në shtator të këtij viti.
Lidhur me këtë në studion e lajmeve në MCN TV në një lidhje skype z. Fatos Cerenishti, përfaqësues dhe sipërmarrës në fushën e turizmit është shprehur se rritja e energjisë elektrike është një nga problemet më të mëdha të turizmit.
Sipas tij kjo është një nga pikat që duhet të negociohet patjetër pasi siç ai thotë kontratat janë mbyllur që shtatorin e vitit të kaluar dhe nuk mund të ndërhyhet.
Cerenishti tha ndër të tjera se pjesa e infrastrukturës lë shumë për të dëshiruar dhe se sipas tij duhet të ndërhyhet menjëherë përpara sezonit veror.
Një nga problemet e turizmit që preket është rritja e energjisë elektrike dhe aq më tepër kur kryeministri thotë se do të rritet edhe më shumë. Kjo do të bëhet e papërballueshme nga ana e hoteleve. Janë fiksuar çmimet dhe është e pamundur që ne të negociojmë çmimet kur kemi mbyllur tashmë kontrata.
Kjo është një pikë që duhet negociuar patjetër me kryeministrin sepse ne nuk ndryshojmë dot kontratat e lidhura shtatorin e viti të kaluar. Nuk e ndryshojmë dot çmimin dhe ky është një nga ngërçet më kryesorë. Turizmi është pruioritet për ekonominë e vendit.
Para 4 vitesh kur u ul TVSH e akomodimit hoteleria shqiptare pati një efekt pozitiv, por ngërçi tjetër është se siç është bërë akomodimi të bëhet dhe me baret dhe restorantet. Fakti që ka pasur rezultat pozitiv për akomodimin do të ketë dhe për rritjen e sektorit në Shqipëri.
Nëse pretendojmë që turizmi të marrë vendin që i takon në ekonominë shqiptare pushteti vendor duhet të jetë më prezent pranë halleve të hotelerisë shqiptare. Ne jemi në hapat e para duhet të themi se ka një zhvillim pozitiv, por nëse i zvarrisim gjërat njerëzit do të zhgënjehen. Pjesa e infrastrukturës lë shumë për të dëshiruar. Duhet ndërhyrë para sezonit veror.



