Kryetari i shoqatës 'Arta', Ervin Sota në një lidhje skype me MCN Live ka folur lidhur me situatën e çmimeve në Vlorë në këtë sezon turistik, rezervimet dhe problematikat krahasuar me një vit më parë.
Ai tha se risi për këtë vit është rritja e shumëllojshmërisë së nacionalistëve, ndërsa thekson se krahasuar me një vit më parë ka një rritje deri në 20% më shumë të turistëve.
Sipas tij këtë vit ka pasur dhe në shtim të bizneseve të reja, ku vetëm 3 muajt e fundit në Vlorë janë shtuar diku te 300 dhoma të reja.

Ka një risi fatmirësisht sepse është shtuar shumëllojshmëria e nacionalistëve që kanë preferuar të vizitojnë Vlorën që në ditët e para të muajit maj dhe ka rritje të turistëve gjermanë, por ka nordikë, spanjollë, të nacionaliteteve të ndryshme, ka dhe afrikanë, arabë dhe familje kineze.
Pra ka shumëllojshmëri turistësh, për të mos folur për italianë që e kanë kthyer si shtëpinë e tyre të dytë. Risia janë gjermanët për këtë vit, dhe premisat siç dhe po i shohim do të jenë të mira, të larta. Krahasuar me një vit më parë jemi në nivelet 15-20% më shumë se vitin e kaluar. Sado që të shkëputemi nga shifrat, këtë statistikë që ju dhashë e dhashë duke u bazuar te prenotimet që janë bërë diku 20% më shumë nga viti i kaluar.
Presim më shumë fryte në ditët në vijim sepse ka shumë turistë që prenotojnë dhe në momentet e tyre të fundit. Vlora është një qytet që ka standarde të mesme, të larta dhe të ulëta, janë shtuar dhomat e hotelerisë dhe në këtë sens ne automatikisht presim një thithje më të lartë të turistëve sepse paraprakisht çdokush është lidhur me një agjenci për të sjellë më shumë turistë.
Më tej ai shtoi se vetëm 3 mujorin e fundit janë hapur 5-6 hotele që shkojnë në nivelin 300-400 deri diku dhoma të shtuara në Vlorë. Ai tha se ka pasur një rritje të taksave dhe se çmimet janë rritur me 20%.
Sa i përket çmimeve këtë vit ka pasur një rritje paksa agresive të taksave të bizneseve, është shtuar dhe stresi i përpunimit të ujërave por megjithatë bizneset e kanë marrë përsipër këtë dhe bizneset këtë vit mund të kenë rritur çmimet diku te 15%.
Jemi përmbajtur shumë që rritja e çmimeve të mos të jetë agresive. Për të krijuar një ide, në zonën te Ujë i Ftohtë mund të gjesh hotel me 40-50 euro, por përtej kësaj ka shumëllojshmëria ofertash. Vlora është një qytet që ofron gjithçka. Ushqimi i mirë dhe cilësia e lartë nuk mungon asgjë, por dhe për ata që si kanë këto mundësi Vlora ofron mundësi për të gjithë.
I pyetur nëse ka problematika sa i përket punimeve, mbledhja e mbeturinave, apo prania e insekteve, Sota tha se këtë vit ka një përmirësim të situatës.
Ne e kemi tërhequr shumë vëmendjen për këtë problem dhe jemi përkushtuar dhe fokusuar dhe është një nga taksat e vetme që kemi përqafuar. Jemi të bashkuar si biznese në Vlorë dhe absolutisht dhe nga ana morale askush nuk sillet në këtë mënyrë. Një mban përgjegjësi për të gjithë bizneset dhe nga ana e bashkisë është rritur ky intensitet.
Sa i përket shqetësimit të insekteve patjetër që është një problematikë e ngritur herë pas here dhe është detyra kryesore që institucionet përkatëse të bëjnë dezinfektimin por dhe bizneset bëjnë punën e tyre sepse nuk është në interesin e tyre që të bezdisen turistët.



