SPAK ka ndërmarrë një goditje të re ndaj një sërë pasurish të dyshuara me vlera të larta financiare, që sipas hetimeve lidhen me emra të njohur të botës së biznesit dhe administratës publike, përfshirë Ergys Agasin dhe Beqir Beqirin. Në fokus të dosjes janë transaksione pasurore, dhënie me qira dhe lidhje të dyshuara biznesi që po verifikohen nga prokuroria.
Sipas të dhënave të bëra publike, një apartament pranë zonës së “Air Albania Stadium” dyshohet se ka një vlerë rreth 470 milionë lekë të vjetra dhe është shitur për rreth 370 milionë lekë. Ky apartament, sipas hetimeve, rezulton i lidhur me Orest Sotën, i cili përmendet si një person me lidhje të afërta biznesi me Ergys Agasin.
Më tej, prona dyshohet se është dhënë me qira për rreth 600 euro në muaj, shumë dukshëm më e ulët se tregu i zonës, ku qiratë sipas vlerësimeve variojnë nga 2 deri në 3 mijë euro.
Gazetari Xhevair Zhabina, në MCN Live, ka theksuar se në dosje, përmenden edhe materiale si video dhe audio që lidhen me takime dhe komunikime mes personave të përfshirë, ndërsa prokuroria po verifikon edhe dëshmi të ndryshme që lidhen me qarkullimin e këtyre pasurive dhe marrëdhëniet mes bizneseve.
Në dosje bëhet lidhja e biznesmenit Orest Sota me Ergys Agasin. Të gjithë biznesmenët që ushtronin aktivitete të çfarëdolloj kishin dëgjuar për Agasin dhe lidhjet e tij të pushtetshme, dhe këtë na e konfirmon edhe dëshmia e Sotës.
Zhabina shton se hetimet nuk kufizohen vetëm te një pasuri e vetme, por shtrihen në disa prona dhe asete të tjera që i atribuohen personave të përfshirë, përfshirë apartamente në zona të ndryshme, automjete dhe sipërfaqe toke të dyshuara si të përfituara përmes favorizimeve.
Ai thekson gjithashtu se në dosje është shtuar edhe akuza e korrupsionit, përveç atyre ekzistuese si shkelja e barazisë në tendera dhe pengmarrje, ndërsa përmenden edhe persona të tjerë nën hetim.
Ka një sërë zhvillimesh të reja… kjo tregon nivelin e organizimit të një grupi të strukturuar që dyshohet se ka ndikuar në treg dhe biznese të ndryshme.



