SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me operacionin e zhvilluar ditën e djeshme në Gjirin e Lalzit.
Bëhet me dije se janë identifikuar autorët e dyshuar për vrasjen për hakmarrje të shtetasit, Edmir Bregut më datë 21.1.2021, në qytetin e Durrësit.
Porositës i atentatit, sipas SPAK rezulton të jetë Astrit Avdylaj, i cili e ka porositur vrasjen për hakmarrjen për tentativën e ekzekutimit të nipit të tij.
Gjithashtu si drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë shtetasi, E.A. (alias A.A), si ndihmës dyshohet të jetë shtetasi E.K., ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë shtetasit, E.D dhe A.D. Në lidhje me këtë fakt po hetohet për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Po ashtu sipas provave të SPAK rezulton se shtetasi, A.L., në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturual kriminal, me synimin për kryerjen e veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal janë shtetasit; V.M, (alias V.K); A.B, V.B dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar.
Në total u lëshuan 9 urdhër arreste, ku 5 prej tyre janë ekzekutuar, ndërsa 4 persona janë ende në kërkim.
Spak sqaron se është bërë sekuestrimi preventiv i 11 (njëmbëdhjetë) pasurive me sipërfaqe totale 254.300 m², në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.
Sa i përket tjetërsimit të pronës, organi i akuzës sqaron se keta shtetas dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, lëshimi i të cilave bëhet vetëm nga institucioni i Kadastrës në Këshillin e Qarkut Durrës, komisioneve të ndarjes së tokës në fshatrat, Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të rrethit Durrës si dhe të ish Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës. Mekanizmi i përdorur nga anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP).
Këta shtetas dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, lëshimi i të cilave bëhet vetëm nga institucioni i Kadastrës në Këshillin e Qarkut Durrës, komisioneve të ndarjes së tokës në fshatrat, Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të rrethit Durrës si dhe të ish Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës.Mekanizmi i përdorur nga anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), falsifikimin e pjesshëm të AMTP-ve origjinale, përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimin e dokumenteve të falsifikuar dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish ZVRPP Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës, heqjen e fletëve të regjistrave të kartelave të pasurisë në volum, ku kanë qenë të regjistruara prona të zërit kadastral “Pyll” dhe “Pa frut” dhe zëvendësimin e tyre me fletë të reja të falsifikuara në formë dhe përmbajtje, ku pasqyronin të regjistruara pasuri të zërit kadastral “Arë”, prodhimin e dokumenteve tërësisht të falsifikuar të praktikës së rivlerësimit të pasurisë, me qëllim hapjen e rrugës për të kaluar në fazën tjetër që ishte transferimi i pronësisë përmes aktit të shitjes apo aktit të dhurimit, etj.
Pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, regjistroheshin në emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive.
Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin e vetëm, realizimi i përfitimit të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj (Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit).



