
Në Rio de Janeiro, në Brazil është rihapur pas disa muajsh statuja ikonike e Krishtit Shpëtimtar. Turistë dhe zyrtarë u mblodhën në një pikë panoramike në majë të malit Corcovado në qytet, për të vizituar statujën.
Për autoritetet lokale, hapja për vizitorët e monumentit ikonik, përfaqëson përpjekjen për ta kthyer sërish në jetë qytetin dhe fakti që mund të vizitohet sërish një vend i tillë, jep shpresën se e keqja do të kalojë shpejt dhe të gjithë së bashku do të festojnë fundin e pandemisë. Brazili është vendi i dytë në botë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është goditur më rëndë nga pandemia me shifra të frikshme infektimesh ditore dhe një bilanc të rënduar viktimash.
Edhe vetë njerëzit duket se mezi e kanë pritur rihapjen: “Është një gëzim i madh fakti se mund të kthehem tek statuja e krishtit shpëtimtar, edhe në këto momente të vështira. Por unë jam i bindur që janë marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë dhe fakti që sot jam këtu, për mua është një gëzim i madh”.
“Unë nuk kam frikë. Njerëzit duhet të ruajnë distancën. Por nëse palestrat, baret, restorantet, kishat etj, janë hapur, përse të mos hapet edhe ky monument”.



