
Historiani Olsi Jazexhi vlerëson sistemin në periudhën e Enver Hoxhës, ndërsa këtë të fundit e cilëson si një prej mendjeve më të ndritura shqiptare.
Në emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos në MCN TV, ai deklaroi se sistemi i tij i rriti shqiptarët, pasi iu jepte punë dhe bukë.
Sipas tij, deri në vitet ‘70-të Shqipëria ka pasur progres shumë të mirë, u industrializua, u elektrifikua.
Jazexhi shtoi se në ato vende ku sovjetët ndërtuan sisteme, populli qëndroi, ndërsa në ditët e sotme shqiptarët ikin nga halli, për një jetë më të mirë.
Enver Hoxha ka qenë një prej mendjeve më të ndritura shqiptare edhe pse shqiptarët nuk e vlerësojnë.
Kur kam qenë i ri kam menduar si të tjerët. Në politikat e brendshme ka bërë shumë marrëzi, por të paktën në analizat gjeopolitike ka qenë shumë i saktë. Sado që ta urrejmë duhet t’i japim hakun.
Analizat që i bën situatës në Lindjen e Mesme, kukullat që amerikanët instalojnë, regjimin fashist të Izraelit etj., janë aktuale edhe sot.
Ai i rriti shqiptarët, jo Enveri por ishte sistemi, se sistemi jepte bukë, jepte pune. Shembulli i Kombinatit të tekstileve “Stalin” një nga lagjet më të suksesshme të Shqipërisë socialiste ku u rritën tre breza njerëzish, disa nga më të edukuarit, që nga Erion Braçe.
Ishte sistemi socialist që i ndërtoi këta shqiptarë, po sot ku janë këta shqiptarë? Janë larguar.
Deri në vitet ‘70-të Shqipëria ka pasur progres shumë të mirë, u industrializua, u elektrifikua, se më pas Enver Hoxha u çmend, u prish me rusët, me kinezët, është tjetër histori.
Shohim rastin e Jugosllavisë me Titon, Tito që ishte i mençur e ruajti Jugosllavinë dhe deri sot e kësaj dite, jugosllavët përfshirë dhe kosovarët e ëndërrojnë kohën e Jugosllavisë.
Unë nuk është se e mbroj Enver Hoxhën në çdo aspekt. Në ato vende ku sovjetët ndërtuan sisteme, populli qëndroi.
Shqiptarët ikin nga halli, për një jetë më të mirë.
Njerëzit janë më të pasur në Shqipëri se sa në Amerikë apo në Kanada. Njerëzit ikin se nuk kanë punë nga varfëria.
Bota e lirë nuk është Perëndimi, është Lindja dhe ne jemi lindorë.



