
Ekipet e shpëtimit që punojnë gjatë natës kanë nxjerrë 45 vetë nga rrënojat e ndërtesave të shembura, sipas autoriteteteve për katastrofën në Turqi, pasi numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm që ra në lindje të vendit arriti në 35.
Ekipet e shpëtimit që vepruan në temperatura nën zero përdorën gërmues mekanikë dhe duart e tyre të zhveshura për të vazhduar kërkimin për të mbijetuarit në tri zona në provincën Elazig, ku të premten në mbrëmje goditi tërmeti me madhësi 6.8, prej të cilit vdiqën 31 njerëz atje dhe katër në provincën fqinje të Malatya. Tërmeti u pasua nga më shumë se 700 goditje në tokë dhe sipas Autoritetit të Urgjencës dhe Fatkeqësive, ka shkaktuar më shumë se 1.600 të lënduar.
Një ndër pamjet më rrëqethëse ishte ajo e një grua 35-vjeçare dhe e vajzës së saj të mitur që I nxirrnin nga rrënojat në rrethin Mustafa Pasa në Elazig, rreth 550 km (340 milje) në lindje të kryeqytetit Ankarasë.
Shpëtimtarëve që dëgjuan britmat e tyre iu deshën disa orë për t'i arritur ato, ndërkohë që temperaturat ishin shumë të ulëta -4 gradë Celsius (24.8 ° F), thanë mediat shtetërore. Burri i gruas ishte ndër personat që nuk dolën gjallë nga rrënojat.
AFAD tha se operacionet e kërkimit dhe të shpëtimit janë ende duke u zhvilluar në tre zona të ndryshme në Elazig. Provincat e tjera kanë dërguar mijëra punëtorë të urgjencës për të mbështetur përpjekjet e shpëtimit, të ndihmuar gjithashtu edhe nga qindra vullnetarë.
AFAD u ka bërë thirrje banorëve që të mos kthehen në ndërtesa të dëmtuara për shkak të rrezikut të mundshëm të shembjes. Sipas zyrtarve janë identifikuar 645 të dëmtuar rëndë dhe 76 ndërtesa të shembura në të dy provincat.
Presidenti Tajip Erdogan, i cili e quajti tërmetin një provë për Turqinë, ka deklaruar se do të ndërtohen shtëpi me kornizë çeliku me shpejtësi në rajon për të siguruar strehim për banorët e zhvendosur.
Vendi ka një histori të tërmeteve të fuqishëm. Më shumë se 17 000 njerëz u vranë në gusht të vitit 1999 kur një tërmet me madhësi 7.6 goditi Izmit, një qytet në juglindje të Stambollit.
Në vitin 2011 një tërmet në qytetin lindor të Van vrau më shumë se 500 persona. / Reuters/



