Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 11 vatra zjarri.
Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave Civile, Robert Hynsellari në komunikimin e sotëm për mediat, deklaroi se prej tyre janë shuar 8 vatra zjarri, ndërsa aktive vijojnë 3 të tjera.
Më konkretisht u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në fshatin Dhores, bashkia Skrapar; në vendin e quajtur Ligata, bashkia Elbasan; në fshatin Sovjan, bashkia Maliq; në fshatin Derven Kodër, bashkia Krujë; në fshatin Saver, bashkia Lushnje; në vendin e quajtur Berdenesh, bashkia Sarandë; në fshatin Gumenicë, bashkia Selenicë dhe në fshatin Ndershen, bashkia Mirditë.
Për shuarjen e zjarreve gjatë 24 orëve janë angazhuar kapacitetet operacionale në nivelin vendor dhe ne nivelin qendror.
Janë angazhuar 255 forca operacionale nga Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, AdZM, shërbimi pyjor, forca vullnetare si dhe 28 mjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera operative.
Aktualisht vijojnë aktive vatrat në në fshatin Bogë, bashkia Malësi e Madhe, ku vijon puna për normalizimin e situatës.
Zjarri vijon në fshatin Rehovë, bashkia Poliçan, ku me gjithë punën e forcave zjarrfikëse dhe bashkiake nuk u bë e mundur fikja e saj dhe sot ne orët e para te mëngjesit ka vazhduar operacioni me mbështetjen dhe të 50 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Flakët vijojnë në fshatin Goranxi, bashkia Dropull, ku ka rënë zjarr në një sipërfaqe me barishte dhe pemë me lartësi 3-4 metra. Zjarri i ndihmuar dhe nga era mori përmasa të menjëhershme duke rrezikuar fshatrat Derviçan, Frashtan dhe Grapsh.
Ndërhyrja e forcave operacionale ka qenë e menjëhershme duke shmangur rrezikun e djegies së banesave. Bashkia Dropull në këtë situatë u mbështet me mjete zjarrfikëse nga bashkitë Libohovë, Gjirokastër, Këlcyrë, Përmet, Memaliaj, Sarande, Finiq dhe Forcat e Armatosura. U angazhuar 144 forca operacionale dhe 12 mjete zjarrfikëse.
Duke marre ne vleresim situatën e krijuar ne bashkinë Dropull është aktivizuar sistemi i Mekanizmit te Mbrojtjes Civile te Bashkimit Evropian (ERCC), nga ku Greqia ka ofruar asistencë ndërkombëtare me dy avionë për ndërhyrje nga ajri.
Me ndërhyrjen nga ajri dhe toka përgjatë gjithë ditës së djeshme edhe deri sot është bërë e mundur mbajtja jashtë rrezikut e banesave dhe banorëve.
Sot në orët e para të mëngjesit ka filluar ndërhyrja nga ajri me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe dy avionëve të Qeverisë Greke.
Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës në të gjithë vendin.
Ju lutemi qytetarëve raportoni menjëherë vatrat e zjarrit pranë çdo strukturë të sistemit te mbrojtjes civile. Çdo njoftim i juaj për vatrat e zjarreve apo fatkeqësi të tjera do të vërë menjëherë në lëvizje sistemin e mbrojtjes civile duke bërë aktivizimin e forcave operacionale në nivel vendor dhe qendror ne mënyrë që ato të izolohen sa më parë, për të mos rrezikuar të çojnë në dëme të pallogaritshme.
Gjithashtu rikujtojmë se zjarret e qëllimshme ose nga pakujdesia dënohen sipas ligjit.



