
Rreth 26.600 maturantë në të gjithë vendin i nënshtrohen sot provimit të fundit të Maturës Shtetërore 2026, atij me zgjedhje.
Provimi nis në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta.
Në mbarë vendin janë ngritur 144 qendra testimi në institucione arsimore.
Mbarëvajtja e procesit do të mbështetet nga 2.087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ndërsa 650 vlerësues do të angazhohen në korrigjimin e testeve.
Për zhvillimin normal të provimit, maturantët duhet të respektojnë disa rregulla të përcaktuara.
Ata duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30, të kenë me vete kartën e identitetit, të jenë të veshur në mënyrë të rregullt dhe, aty ku aplikohet, me uniformën e shkollës.
Sezoni i Maturës Shtetërore nisi më 2 qershor me provimin e Gjuhës së Huaj, vijoi më 9 qershor me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, ndërsa më 16 qershor maturantët zhvilluan testin e Matematikës.



