Analisti dhe sociologu Ergys Mërtiri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut sot nxori në pah dy humbës të mëdhenj.
Sipas tij, si Edi Rama, ashtu edhe Sali Berisha, dështuan plotësisht në vlerësimin e tyre ndaj SPAK.
Për mua, dita e sotme ka dy humbës të mëdhenj, dhe kjo është gjëja më e mirë që i ka ndodhur shqiptarëve sot.
Humbësi i parë quhet Edi Rama, i cili sot dështoi totalisht. Bëri thjesht një mesazh kortezie në fund dhe nuk ishte fare në garë. Kujtojmë garën e parë, ku ai ishte egërsisht në lojë dhe u nda për ‘fije të kashtës’. Nëse Yuri Kim nuk do të ishte mbështetëse e kandidatit tjetër atëherë, do të kishte fituar kandidati i Ramës dhe sot ndoshta SPAK do të ishte në dështim. Sipas asaj që flitej atë kohë, i preferuari i tij ishte Kondili.
I dështuar i dytë është Sali Berisha, i cili dukshëm nuk ka asnjë ndikim dhe sot humbi edhe alibinë e tij se ‘SPAK është një organizatë kriminale’.
Nëse ai e quan të tillë, atëherë sipas logjikës së tij, të gjithë ambasadorët që ishin aty sot do të ishin pjesë e një organizate kriminale që po zgjedh kryetarin e një organizate kriminale.
Sot Berisha mori një shuplakë të fortë për mënyrën se si u zgjodh kreu i ri i SPAK, dhe po dëshmohet se SPAK nuk është as i Ramës, as i kapur nga ndërkombëtarët.



