
Në konferencën e fundit me gazetarët për këtë vit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar vitin 2022 si viti i cili do të skalitet në muret e kohës si viti i opozitës shqiptare.
Asgjë nuk mposhti dot idealet e demokratëve. Ato u ngritën fuqishëm kundër armikut të egër të votës së lirë, kundër atyre që përdorën korrupsionin për të luftuar anti-korrupsionin në Shqipëri.
Të bashkuar tek idealet e të vërtetës dhe të lirisë, qytetarët shqiptarë opozitarë qëndruan. Shqipëria ka një opozitë më të fuqishme se kurrë, më të vërtetë se kurrë.
Në këtë konferencë, kryedemokrati hodhi akuza edhe për ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim si e “përfshirë në një akt madhor korruptiv duke mashtruar qeverinë e vet për korrupsionin imagjinar të Sali Berishës”.
Në këtë përpjekje, do të nxijë në historinë e turpit, qëndrimi i ambasadores së SHBA, e cila, pasi në një akt madhor korruptiv, kishte mashtruar qeverinë e saj për korrupsionin imagjinar të Sali Berishës, bëri gjithçka që t’i diktojë opozitës, kryetarin e saj.
Përdori, abuzoi dhe shpërdoroi, duke shkelur çdo ligj të këtij vendi dhe vendit të vet, çdo konventë ndërkombëtare, çdo parim.
Përdori fuqinë e vendit të saj, për t’i diktuar opozitën kryetarin. Por ky është viti i opozitës, sepse asgjë nuk mposhti dot idealet e demokratëve.
Ata u ngritën fuqishëm kundër armikut të egër të votës së lirë, armikut të egër të PD-së, u ngritën kundër atyre që përdorën korrupsionin për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri, që përdorën krimin e organizuar për të luftuar antikrimin në Shqipëri.
Pavarësisht se ata përfaqësonin shtetet më të admiruara nga shqiptarët, SHBA dhe Britaninë. Opozitarët shqiptarë qëndruan dhe këtë vit u faktuan kombit dhe botës se Shqipëria ka një opozitë më të fuqishme se kurrë, më të vërtetë se kurrë.
Ndër të tjera Berisha theksoi se Kim abuzoi duke shkelur çdo ligj.
Ajo për një vit me radhë mbajti flamurin e cancel kulture. Falsifikoi në mënyrën më të paskrupullt 100-vjetorin e marrëdhënieve të shqiptarëve me vendin që ata adhurojnë më shumë.
Arriti deri aty sa barazoi veten me Lindita Nikollën në vështrimin e saj të historisë. Nxorën figura të inkriminuara këmbë e krye si Taulant Balla si kremtues.
U përpoq të manipulonte me çdo mënyrë vizitat e ish-personaliteteve, por që dështoi.
Nga ana tij nuk munguan edhe akuzat për Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ku e quajti “SKAP të Partisë Socialiste dhe të lidhur me krimin”.
Viti që lamë pas është viti i shkatërrimit përfundimtar të sistemit të drejtësisë. Reforma e Sorosit përfundoi sipas sondazheve të pavarura në institucionin më të pabesueshëm se çdo institucion i këtij vendi.
Ai që ishte parashikuar të ishte institucioni i akuzës për zyrtarët e lartë, i quajtur SPAK apo Prokurori e Posaçme, u transformua në SKAP-in e partisë.
Tre muaj më parë, në një poll krejtësisht të pavarur, dilte vetëm se 10.4 përqind e shqiptarëve besonin se SKAP-i i partisë është i pavarur politikisht, përkundrejt 59.6 përqind që e quanin tërësisht të varur nga partia.
Pas betejës së fundit, Rama-guvernatorja Kim, edhe ky 10-përqindësh mendoj se merr fund. Kështu që sot nuk ka shqiptar se beson më ndryshe, veçse e sheh SKAP-in si një institucion, seksion të partisë së krimit.
I infiltruar nga të gjitha anët me lidhje krimi.



