Unifikimi doganor, marrëveshje në letër apo në vepër (VIDEO)

Unifikimi doganor, marrëveshje në letër apo në vepër (VIDEO)

Që prej vitit 2013, kur qeveria e kryeministrit Edi Rama fitoi mandatin e parë, ajo erdhi me një sërë premtimesh, disa prej të cilave shpejt do të gjenin zbatim, e disa të tjera do të kishin një rrugë më të gjatë. Veç zotimeve, ndryshime pësuan edhe ministritë, pasi shumë u shkrinë me njëra-tjetrën dhe disa u cilësuan me emër dhe funksion, që në qeverinë "Berisha" nuk ekzistonin. Një prej tyre është edhe Ministria e Shtetit për Diasporën, e cila ka si mision të përfaqësojë e nxisë politikat e bashkëpunimit dhe të ndërveprimit me të gjithë shqiptarët, duke nxitur e fuqizuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe shtetet ku ata banojnë. Bazuar në këtë qëllim, ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ka përfolur shpesh edhe idenë e unifikimit doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës, që sipas tij do t'i jepte fund ndarjes së palogjikshme të shqiptarëve dhe se nuk duhet të ekzistojnë barriera mes dy vendeve. Sipas Majkos, kjo gjë duhet të ndodhë në vepër.

Por kjo ide është njoftuar që në shkurt të vitit 2015, nga vetë kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e inaugurimit të zyrës së përbashkët doganore Shqipëri-Kosovë. Rama pati deklaruar se ky ishte një vendim i vonuar dhe se kishte ardhur koha për t'u hedhur në zbatim, duke hequr kufijtë ndarës dhe duke shkrirë zyrat doganore në një të vetme.

Fillimisht u tha se unifikimi doganor do të hynte në fuqi më 1 janar të këtij viti, vendim për të cilin duket se asnjëra nga të dy palët nuk ishte gati. Teksa kanë kaluar më shumë se tre vite nga ky premtim, ai nuk është zbatuar në asnjë moment, madje ky fakt është pranuar edhe nga vetë ministri Majko, i cili më 27 tetor, në një intervistë për mediat në Kosovë, tha se kufiri ndarës i dy vendeve krijon radhë të gjata kamionësh dhe zyra mediokre që nuk po lejojnë tregti normale mes shteteve.

Por i gjithë kalvari i diskutimeve  duket se mori fund më 26 nëntor, në takimin mes dy delegacioneve qeveritare të Shqipëisë dhe Kosovës, që u mbajt në Pejë. Takim i cili është shoqëruar me firmosjen e 9 marrveshjeve dhe sipas dy kryeminstrave, Ramush Haradinaj dhe Edi Rama, më në fund po arrihet marrëdhënia vllazërore mes dy vendeve.

Kjo ishte mbledhja e pestë e të dy qeverive, ku u nënshkruan  9  pika kryesore  dhe sipas kabineteve tashmë po zhduket çdo vijë ndarëse mes shqipfolësve. Ministrat përkatës kanë firmosur bashkëpunimin për borxin publik, heqjen e tarifave për romingun, bashkëpunim në shëndetësi, arsim, krijimin e dhomës bilaterale, memorandumin e mirëkuptimit, njohjen e patentave për shoferët dhe njohjen dypalëshe të certifikatave fitosanitare për produktet bimore dhe shtazore. Sipas Ramës, të gjitha këto marrëveshje do të hyjnë në fuqi brenda 6 muajve të ardhshëm.

E megjithatë, këto marrëveshje ende nuk kanë një formë përfundimtare dhe shumë figura politike e shikojnë me skepticizëm këtë marrëveshje. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti shprehet, se dhjetëra marrëveshje janë nënshkruar, por kurrë nuk kanë gjetur zbatim.

Kurti ka sjellë disa shembuj që marrëveshjet dhe tregtia mes dy vendeve nuk janë zbatuar, pavarësisht marrëveshjeve.

Sakaq, me pesimizëm këtë bashkëpunim e shikon edhe biznesi në Shqipëri. Luan Bregasi i Biznes Albenia ka thënë se ka nevojë për më tepër monitorim dhe seriozitet.

Ashtu si edhe Albin Kurti, edhe Bregasi ka sjellë shembullin e certifikatave fitosanitare, një marrëveshje e nënshkruar, por që nuk ka gjetur ende zbatim.

Një pikë tjetër ku ndahen përsëri të dy vendet është edhe taksa për Rrugën e Kombit, e cila është kontestuar shumë nga Prishtina. Një prej kritikave ka ardhur nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhalliu, i cili e konsideroi të padrejtë.

Më tej, kundër është shpreur edhe lideri i Vetëvendosjes dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, por edhe biznesi në Shqipëri .

Mirëpo pavarësisht debatit që shkaktoi tarifa prej 11.2 euro për autobusët që vijnë nga Kosova, nuk është e negociueshme, duke qenë se ajo nuk është përmendur fare gjatë takimit të zhvilluar. Edhe pse shumë figura politike dhe ekonomike të Kosovës, deklaruan se do e trajtonin dhe do të kërkonin përgjysmim çmimi në 5 euro nga qeveria shqiptare.

Ashtu siç edhe e lartpërmendëm, unifikimi doganor ishte i paralajmëruar vite më parë, dhe duke marrë shkas nga deklaratat në mars të 2018-s, ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, është shprehur kundër ideve apo projekteve për një kufi pa dogana mes Shqipërisë dhe Kosovës para anëtarësimit të dy vendeve në BE.

Edhe pse kjo nuk është respektuar nga të dy vendet, Rama gjatë diskutimeve nuk ka ngurruar të thumbojë ndërkombëtarët dhe t'i kritikojë për mosheqjen e vizave.

Ndërkohë, që më herët lidhur me këtë çështje reagime kundër kanë ardhur edhe nga shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, i cili ka thënë se bëhet fjalë për bashkimin e shqiptarëve dhe realizimin e planit për Shqipërinë e madhe. Por kryeministri shqiptar thotë se nga kjo marrëveshje duhet marrë shembull për bashkëpunim ranojal.

Ky reagim vjen në një kohë ku tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur duke u bazuar edhe në ndërprerjen e dialogut dypalësh dhe vendosjes së tarifës 100% për produktet serbe. Ky vendim është kritikuar shumë edhe nga ndërkombëtarët. Zëdhënësja e Federica Mogherinit ka reaguar me tone mjaft të ashpra në lidhje me këtë zhvillim të ri. "Bashkimi Europian kërkon urgjentisht sqarime në lidhje me vendimin e papritur të qeverisë së Kosovës", tha ajo. Kundër është shprehur edhe Angela Merkel, Johanes Hanh, të cilët kanë kërkuar shfuqizim të këtij vendimi, por Rama mendon ndryshe në këtë aspekt.

Ky vendim edhe pse penalizon tregjet serbe, nuk hap plotësisht vend për eksportet shqiptare.

Nisur nga tarifa ndaj produketeve serbe, prodhuesit e Kosovës thanë se ka ardhur koha që të përfitojnë bizneset shqiptare, duke zgjeruar tregun e tyre.

Edhe pse kryeministri Haradinaj e shikon si një vendim të pashmangshëm, mediat kosovare raportojnë se Kosova më shumë importon produkte sesa eksporton, ndërsa shteti nga i cili kryen më së shumti importin është Serbia. Vetëm në vitin 2017, në Kosovë janë importuar nga Serbia produkte në vlerë prej 449 918 euro, ndërsa Kosova ka eksportuar  produkte me vlerë prej 260 471 euro. Nga ana tjetër, vendosja e taksës 100% ka rritur rrezikun e kontrabandës, kryesisht në veri të Kosovës, ku ditët e fundit KFOR-i ka pikasur disa raste. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy