Qytetarë të shumtë zhvilluan meshat që përkujtojnë ringjalljen e Krishtit pas të premtes së zezë. Besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërsinë po kremtojnë festën e pashkëve, e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq. Gjatë mesnatës së të shtunës dhjetëra besimtarë Ortodoksë të Shqipërisë dhe Tiranës mbajtën meshën e kremtimit të pashkëve, ndërkohë që edhe sot ishin të shumtë qytetarët e pranishëm në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
E Premtja para Pashkës, e cila njihet si e Premtja e Zezë, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë, për t’u ringjallur të dielën e Pashkës. Kjo festë cilësohet, si një nga festat më të rëndësishme nga besimtarët ortodoksë, sepse Krishti rikthehet përsëri në jetë. Pashka është kremtimi i ringjalljes së Jezusit, e cila festohet tri ditë pas vdekjes së tij në kryq. Pashkët e krishtera janë në lidhje të ngushtë me ato hebraiket, në të cilat festohet çlirimi i hebrenjve nga Egjipti prej Moisiut. Fjala Pashkë në të vërtetë do të thotë kalim: për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri, ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar.



