Avokatja Vasilika Hysi theksoi në emisionin “MCN Economy” se nuk ka vullnet politik për të zgjidhur ngërçin e gjyqësorit. Me ironi ajo tha se “dritë në fund të tunelit do të shohim në vitin 2050-të”.
"E vërteta ka treguar dhe po tregon që ka vetëm efekte negative. Nëse ishim në vonesa për proceset gjyqësore 3 vjet, 5 vjet, 7 vjet, tani kanë shkuar 15 vjet, 24 vjet. Ka çështje gjyqësore që kanë nisur në vitin 2000 dhe s’kanë përfunduar akoma, janë duke shkuar në Shkallë të Parë, në Apel, në Gjykatën e Lartë, duke u rikthyer sërish.

Kalojnë vitet, 10 vite pasi ka ndodhur vepra penale, parashkruhet dhe nuk ndiqet më penalisht. Afatet favorizojnë prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar që të mos ndiqen penalisht me kalimin e viteve. Tani lind pyetja a do ndiqen penalisht komisionerët e Vetingut që s’i çuan për ndjekje penale këto?! A do ndiqen penalisht prokurorët që i kanë pasur këto procese, apo gjyqtarët që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme?”



