SPECIALE/ Tregtia online në Shqipëri, e paformalizuar (VIDEO)

SPECIALE/ Tregtia online në Shqipëri, e paformalizuar (VIDEO)

Websitet, rrjetet sociale, portalet që përfshihen të gjitha nën petkun e internetit, mbetet një nga sfidat më të mëdha, por edhe një nga oportunitetet më të rëndësishme në industrinë e globalizmit dhe të zhvillimit të botës. Nëse në vitet 2000 shitjet online konsideroheshin të paimagjinueshme si të gjitha shpikjet e mëparshme, tashmë interneti është kthyer në një konkurrent të frikshëm për të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik. Një ndër profesionet më të rivalizuara nga online është gazetaria, duke e bërë që gazetat e printuara me kalimin e kohës të humbasin rëndësinë dhe duke zgjedhur mes mbijetesës dhe online.

Tashmë një tjetër sektor që po gjen gjithnjë e më shumë hapësirë për të ushtruar ndikimin e saj është  marketingu në internet. Shërbimet elektronike konsiderohen si fushat më të reja të kërkimit të cilat paraqesin një rëndësi strategjike për bizneset që kanë drejtuar përpjekjet e tyre drejt tregut elektronik. Shitjet online janë tashmë një mënyrë e të bërit biznes që po përhapet me shpejtësinë e kohës, duke u kthyer në një konkurrent të fortë ndaj tregtisë tradicionale. Pavarësisht kritikave dhe ankesave nga bizneset se kjo industri po çon drejt falimentimit shumë dyqane, për ekspertin e ekonomisë, Adrian Civici, tregtia online është një hap pozitiv drejt zhvillimit të vendit. Civici ka shtuar se blerjet online ofrojnë një sërë lehtësirash për qytetarët.

Madje, ai pohon se tashmë nuk është koha që të trembemi nga ky lloj biznesi por që bizneset tashmë duhet të kalojnë në online.

Tregtia online mund të themi se është shkalla në të cilën një uebsite lehtëson dhe ndihmon në procesin e blerjes dhe shpërndarjes së produketeve apo shërbimeve të ndryshme. Për agjenten e shitjeve online, Pranvera Rrapushi, e cila tashmë është edhe drejtuese e një kompanie shitjesh online, kjo mënyrë biznesi para tetë vitesh as nuk mund të imagjinohej, por tashmë po zhvillohet me hapa gjigandë, dhe duke rivalizuar shitjet fizike.

Sa i takon kësaj risie, edhe Valer Pinderi që tashmë ka shumë vite që merret me biznesin online, është shumë vonë për të bërë hapa pas, dhe sipas tij ky sektor do të vazhdojë të dominojë në çdo vit edhe më tepër. Pinderi ka pohuar se viti 2015 ka shënuar edhe kulmin e përdorimit të kësaj fushe.

E ndërsa bota po priret çdo ditë e më shumë drejt veprimeve online, Shqipëria ende është në hapat fillestarë, fakt ky që konfirmohet edhe nga vetë ekspertët e fushës.

Tashmë me zhvillimit teknologjik me shpejtësinë e një kliku mund të blesh produkte pa qenë nevoja që të orvatesh në dyqane për të gjetur atë që kërkon pa u kufizuar brenda kufijve të shtetit tënd. Edhe vetë qytetarët pranojnë se porosisin shpesh produkte të ndryshme në internet, kryesisht përmes rrjeteve sociale.

Problemi kryesor për qytetarët është fakti se jo gjithnjë janë të kënaqur me shërbimin apo produktin.

Fakt ky që konfirmohet edhe nga ekspertja Rrapushi, që pohon se paralelisht me blerjet rriten edhe ankesat, por që sipas saj, kjo dukuri vjen për shkak të faqeve informale që ofrojnë edhe produkte të pakontrolluara apo jocilësore.

Duket se ka një pikë ku bashkohet teknologjia me tradicionalen dhe bëhet fjalë pikërisht për informalitetin. Për Civicin duhet hartuar një rregullore e veçantë dhe specifike për të monitoruar këtë lloj biznesi, pasi sipas tij, kjo është fusha më e vështirë ku mund të gjurmosh shkeljet e rregullave fiskale.

Ndërkohë për kompanitë e mëdha, prania e informalitetit, dhe mosregjistrimi i kompanive si tatimpagues është një pengesë tepër e madhe pasi ndikon drejtëpërsëdrejti në besimin e klientëve.

Në të njëjtën linjë të këtij shqetësimi janë edhe shitjet nëpërmjet Facebookut dhe Instagramit, dhe nga agjentët e shitjeve kërkohet më tepër mbështetje nga institucionet përkatëse për të rregulluar këtë sektor fitimprurës.

Kompanitë që janë të vetëdeklaruara si tatimpaguese pohojnë se për produktin që shesin ndaj klientit mbajnë përgjegjësi, ndryshe nga sa procedohet nga faqet informate të cilat një produkt që e tregtojnë nuk pranojnë që të kthehet.

Sipas Pinderit ka ndodhur raste të kthimit, pasi 3% e njerëzve që blejnë kthejnë produktev për disa arsye dhe kryesisht lidhen me pritshmëritë e tyre, por që në dispozicion për të kthyer produktin kanë 14 ditë kohë.

Por cilat janë janë arsyet që i shtyjnë qytetarët drejt marketingut online? Shkaku kryesorë është faktori kohë.

Nëse në vitet e kaluara kërkesa më e madhe ishte nga moshat e reja 20-30 vjeç, tashmë nuk mund të ketë një mur ndasie midis grupmoshave që po priren drejt kësaj veprimtarie.

Po ashtu agjentët tregojnë edhe shifrat që shpenzojnë qytetarët, që sipas tyre varjojnë nga mosha dhe nga buxheti që kanë, por që mbeten në shifra tepër të larta. Por edhe tek shenzimet dhe blerjet ka disa faktorë që ndikojnë, dhe kryesisht janë koleksionet dhe ofertat e reja. Nese në opinionin e shumicës ishte krijuar ideja që blihen kryesisht veshje apo aksesor kjo situatë tashmë ka ndryshuar.

Por ndryshe nga sa mund të parashikohej, referuar edhe raporteve që janë publikuar nga instat apo anketave të ndryshme, që tregonin se shqiptarët nuk janë lexues të librave, Pinderi pohon se libri ka qenë surpriza e kompanisë dhe ka patur ecurinë më të mirë.

Sakaq Pranvera Rrapushi po ashtu tregon se ekzistojnë disa lloje shitjesh.

Valer Pinderi nga aladini.al tregon se aktualisht janë gati 5000 porosi në ditë që shpërndahen nga kompani shqiptare dhe 2000 vijnë nga jashtë, ndërsa njerëzit preferojnë kompanitë vendase, për shkak të shpejtësisë në transport. Madje, ai beson se brenda tre viteve do të jemi konkurrentë edhe me rajonin.

Edhe pse ky vit pritet të jetë shumë më i sukseshëm që viti 2018, të dy ekspertët tregojnë se synimet e tyre janë të rritet shërbimi, cilësia dhe të sillet sa më shumë inovacion në treg, për të konkurruar denjësisht në rajon dhe më gjerë.

Përpos faktit që ky sektor po rritet ende nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga shteti po edhe nga institucionet që mbajnë përgjegjsi. Gjë kjo që u kuptua edhe në përgjigjen e dhënë nga kryeministri Edi Rama në samitin e diasporës në vitin 2016, ku u pyet për këtë lloj biznesi.

I vetmi legjislacion që ekzston në Shqipëri për të gjithë këtë treg është pragu i taksimit për pako që kalojnë  në masën 22 euro për blerjet online dhe 45 euro për dërgesat personale me poste. Çdo person që bën një blerje online me vlerë më shumë se 22 euro do t’i duhet të paguajë 20% tatim mbi vlerën e shtuar si dhe një tarifë doganore në varësi të origjinës së mallit. Ndërkohë sipas informacionit të marrë nga drejtoria e tatimeve nuk ka ndonjë legjislacion që identifikon shkelësit e ligjit, por i besojnë vetëdeklarimit.

Edhe pse ky është një biznes që punëson si dhe sjell të ardhura në institucionet e vendit ende nuk ka të dhëna se sa janë të ardhurat apo se sa mund të punësojë kjo industri. Shkela e radhës që përsëri mbetet pandëshkuar dhe që bën të pamundur uljen e informalitetit janë pagesat cash që bëjnë blerësit për shitësin në të shumtën e rasteve, pavarësisht se legjislacioni tatimor e ndalon. Për vendin tonë ende nuk ka shifra se sa është shkalla e përhapjes së blerjeve online, por në BE në vitin 2016, 16% e bizneseve kanë kaluar në ueb. Po ashtu, Komisioni Europian synon të krijojë një Treg të Përbashkët Dixhital, ku tregtia online mes vendeve do të jetë aq e lehtë sa nëpër dyqane fizikë.

 

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy