Tre ditë para përfundimit të mandatit, kreu i shtetit i ka dërguar një letër zyrtare kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit me Greqinë për çështjen e detit.
Në letrën e tij, presidenti Meta thekson se “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përpara zhvillimit të bisedimeve, duhet të plotësojë gjithë dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor për këtë çështje, që parashikohet në Aneksin 2, bashkëlidhur këtij Autorizimi dhe është pjesë integrale e tij, si dhe të pajisë Grupin Negociator me dokumentacionin e plotësuar”.
Në cilësinë e presidentit të Republikës, Meta u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe grupit negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese.
Duke kërkuar që negociatat duhet të realizohen duke ndjekur me përpikëri aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, Meta shpreh rezerva për vendimet e kryeministrit Edi Rama dhe Ministrisë së Jashtme për këtë çështje. Meta thotë se kryeministri Rama ka keqinformuar palën e vendin fqinj në lidhje me qasjen e tij për çështjen e detit dhe procesit të bisedimeve.
“Në institucionin e Presidentit të Republikës, ndodhet një praktikë e gjerë dhe e thelluar (tekniko-juridike) dhe një komunikim shkresor disa vjeçar midis Presidentit të Republikës – Kryeministrit – Ministrit të Punëve të Jashtme- Kuvendit, si dhe institucioneve të tjera, pikërisht mbi këtë çështje, ku disa prej këtyre komunikimeve janë të nivelit “sekret shtetëror”, pikërisht për të mos cenuar platformën/pozitën negociatore të Shqipërisë, apo për të mosekspozuar nivelin e përgatitjes të grupit negociator/palës shqiptare. Nga zhvillimet e mëpasshme është e qartë se kryeministri Rama, më së paku me mungesë të sinqeritetit, me papjekurinë e tij, apo me mosnjohjen e ligjit, i ka dëmtuar të gjitha këto, duke arritur deri aty sa të keqinformojë apo të keqorientojë autoritetet e vendit fqinj, se ka pengesë Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Si President nuk kam lejuar cenimin e interesave të Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, ndërkohë që kryeministri Rama përgjithë sa parashtrova më sipër, në kundërshtim me atë që dikton Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2010, për të mos marrë asnjë kosto politike apo ligjore mbi vete, por për t’i faturuar ato tek të tjerë, ka zgjedhur subjektivisht vet, me iniciativën e tij, që ta drejtojë çështjen në një Gjykate Ndërkombëtare, por ndërkohë që në mënyrë krejtësisht të pavend ka bërë pohime publike për shumë detaje apo qëndrime politike që në çdo rrethanë nuk e forcojnë pozitën negociatore apo procedurale të Republikës së Shqipërisë, por e dobësojnë atë”, thekson Meta.



