
Grupi hetimor në Itali që punon për zbardhjen e vrasjes së çiftit Pasho nga Vlora, vijon të nxjerrë në dritë detaje të tjera mbi autorët e dyshuar. Masakrimi i Shpëtim dhe teuta Pasho dyshohet të jetë kryer nga ish-e dashura e djalit të tyre, 36-vjeçarja nga Durrësi Elona Kalesha. Kjo e fundit vijon të refuzojë të flasë mbi ngjarjen për të cilën tashmë është vënë nën akuzë.
Sipas mediave italiane të cilat ju referohen grupit të hetimit të ngritur për këtë rast në Firence, Elona Kaleshi dyshohet se mund të ketë pasur edhe një bashkëpunëtore femër në kryerjen e vrasjes së dyfishtë dhe më pas masakrimin dhe fshehjen e kufomave në një fushë ngjitur me burgun e Solliçiano.
Nga dëshmitë që janë mbledhur, ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen e hetuesve, ka qenë ajo e një prej banoreve të pallatit ku ka ndodhur krimi, sipas të cilës ka parë Elonën me një femër tjetër misterioze të panjohur që të dalë së bashku me Elona Kaleshin nga banesa, në periudhën kur u zhduk çifti dhe dyshohet se ka ndodhur krimi.



