Anëtarët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë bashkuar votat, duke rrëzuar kërkesën e dy anëtarëve të PS-së, për t’i hequr mandatin kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj.
PS kërkoi që KQZ t’i heqë mandatin Kapllanajt, kryebashkiak i PD, pasi sipas tyre është subjekt i dekriminalizimit, për shkak të një dënimi me dy vjet burg që drejësia italiane ka dhënë ndaj tij për akuzën e vjedhjes disa vite më parë.
Këtë fakt kryebashkiaku i Mallakastrës e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit kur fitoi mandatin në vitin 2015.
Kërkesa u dorëzua në komision, nga dy anëtarët e KQZ, Denar Biba dhe Bledar Skënderi.
Por anëtarët e PD dhe LSI vlerësuan se për këtë çështje është diskutuar njëherë në 2016, dhe KQZ ka mbajtur një qëndrim që mandati nuk duhet t’i hiqej.



