
“Të zhdukurit me dhunë” është termi për të cilin Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që të përmendet në deklaratën për të pagjeturit. Kështu deklaroi sot kryeministri Albin Kurti.
"Formulimi i saktë në anglisht është ‘forcibly disappeared’ - të zhdukur me dhunë - dhe kështu është termi që është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet personat të pagjetur, të zhdukur, që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukur me dhunë. Kjo është shprehja në anglisht për të cilën tashmë është dakorduar në Bruksel”, ka thënë Kurti të enjten para gazetarëve, pas prezantimit të strategjisë së Kosovës për Qeverisje Elektronike 2023-2027.
Kreu i qeverisë tha se për Asociacionin e komunave me shumicë serbe do të analizojë rezultatet e takimit të kryenegociatorit Besnik Bislimi me Petar Petkoviçin e Serbisë më 4 prill, për të përcaktuar se si do të ecet përpara.



