Përmbytje nga moti i keq/ ‘MCN Live’ raporton nga Durrësi, Lezha dhe Shkodra (VIDEO)

Përmbytje nga moti i keq/ ‘MCN Live’ raporton nga Durrësi, Lezha dhe Shkodra (VIDEO)

Reshjet intensive të shiut kanë përfshirë të gjithë vendin, duke shkaktuar probleme të shumta dhe përmbytje në disa qarqe. 

Situata më problematike paraqitet në Durrës, Lezhë dhe Shkodër, ku prurjet e larta të ujit kanë vështirësuar jetën e përditshme dhe qarkullimin.

Korrespondentët Ervina Garo, Juli Simoni dhe Bendis Druni raportojnë për “MCN Live” mbi situatën në terren.

Durrës -Ervina Garo

Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të qytetit të Durrësit. Prej orëve të para të mëngjesit, qytetarët janë detyruar të kthehen nga puna dhe shkolla, ndërsa një pjesë e institucioneve dhe subjekteve tregtare kanë pezulluar aktivitetin.

Procesi mësimor është ndërprerë në të gjithë qytetin, nga çerdhet deri në universitete. Nuk po punohet as në Portin e Durrësit, ndërsa disa institucione publike kanë mbyllur dyert.

Uji ka depërtuar në disa banesa, duke sjellë evakuimin e një familjeje. Lagjja 18 është ndër zonat më të prekura, ku qarkullimi i automjeteve është tejet i vështirë. 

Nga pamjet e siguruara nga MCN TV, automjetet shihen të zhytura në ujë deri në gjysmën e tyre, ndërsa lëvizja është e mundur vetëm me mjete të larta.

Përmbytje janë raportuar edhe në zonën pranë stadiumit, në Spitallë dhe në zonën e NISH Tullës. Oborri i Universitetit “Aleksandër Moisiu” është nën ujë, ndërsa prani uji ka edhe në biznese dhe oborre banesash në zonën e ish-Kënetës.

Në rrugën interurbane Tiranë–Durrës, pranë karburantit në hyrje të qytetit, prania e lartë e ujit në të dyja anët e rrugës e bën të pamundur qarkullimin normal. Policia Rrugore ka njoftuar devijimin e trafikut për të shmangur bllokimet dhe aksidentet.

Lezhë - Juli Simoni

Reshjet e dendura të shiut, të rëna gjatë orëve të natës, kanë shkaktuar probleme të shumta në qytetin e Lezhës. Si pasojë e prurjeve të larta, rrjeti i kanalizimeve nuk ka arritur t’i përballojë, duke sjellë përmbytje në lagjen “Besëlidhja”.

Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve. Për shkak të situatës, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova”.

Po ashtu, raportohet rritje e ndjeshme e prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër, të cilët ndodhen në kuota kritike. Lumi Drin ka përmbytur edhe shëtitoren në lagjen “Skënderbeg”.

Probleme janë evidentuar edhe në zonën e Kurbinit, ku disa hektarë tokë bujqësore janë nën ujë, veçanërisht pranë mbikalimit të Patokut. Në fshatin Adriatik, disa banesa janë të rrethuara nga uji, ndërsa në Fushë Mamurras mësimi është ndërprerë. Në total, mësimi është pezulluar në tre shkolla në qarkun e Lezhës.

Banorët e Kurbinit shprehen se mungesa e pastrimit të kanaleve kulluese dhe mosmarrja e masave nga bashkia kanë përkeqësuar situatën.

Shkodër - Bendis Druni

Që prej ditës së djeshme, si pasojë e rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, shkarkime që monitorohen nga specialistët e hidrocentraleve.

Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës, ndërsa deri më tani nuk janë evidentuar problematika serioze në territorin e bashkisë.

Në Koplik janë hasur vështirësi gjatë ditës së sotme, por situata raportohet të jetë nën kontroll. 

Në Qafë Thorë, reshjet e dëborës kanë kërkuar ndërhyrjen e borëpastrueseve, të cilat kanë pastruar rrugën dhe nuk janë raportuar probleme në qarkullim.

Ndërkohë, në zonën e Dukagjinit, për shkak të rrëshqitjeve të dherave, janë bllokuar përkohësisht disa fshatra.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy