
Qyteti i Durrësit, po përballet që nga pasditja e së shtunës me kufizimin e ujit të pijshëm, për shkak të një defekti të pasuar nga nderprerja e energjise elektrike ne stacionin e pompave ne Fushe Kuqe. Kjo nderprerje ka shkatuar nje çarje te madhe te tubacionit kryesor, ndërsa për riparimin e defektit jane dashur rreth 16 ore pune nga pasditja e djeshme.
Ndërkohë, një situatë e ngjashme raportohet edhe për disa fshatra të bashkisë së Kukësit. Si pasojë e motit të keq, një rrëshqitje masive dheu, ka dëmtuar tubacionin e rrjetit të Ujësjellësit të Kolesianit, në vendin e quajtur Opare. Dëmtimi i tubacionit në 200 metër linear ka ardhur si pasojë edhe i cilësisë së dobët të punimeve të kryera në fazën e parë të ndërtimit të Ujësjellësit të ri vite më parë ende i pa përfunduar.
Ndermarrja e Ujësjellës-Kanalizime Kukës bën të ditur se pavarësisht problemeve financiare dhe terrenit të thyer malor, nën të cilin është shtrirë rrjeti ku trashësia e borës është gati 1 metër, do të bëjë të mundur riparimin në kohë të defektit me metoda alternative.



