
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, i shoqëruar nga deputeti Ervin Bushati, filloi sot paradite një seri takimesh në Parlamentin Gjerman (Bundestag) me përfaqësues të qeverisë gjermane.
Qëllimi i këtyre takimeve është rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve per anëtarësim mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe shqyrtimi i këtij rekomandimi edhe nga Bundestagu gjerman.
Sot ai u takua me deputetët gjermanë Mark Hauptmann, Axel Müller, Nikolas Löbel, Joachim Pfeiffer.
Mark Hauptmann, anëtar i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të NATO-s ndër të tjera tha se: “…respektimi i ligjeve, rregullave dhe Kushtetutës nuk duhet të vihet në dyshim nga asnjëra palë. Partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje, por askush nuk është i detyruar. Kjo është demokracia. Por nuk është e drejtë të kërkohet shtyrja e zgjedhjeve nga aktorë të jashtëm në një shtet të pavarur dhe demokratik.”
Müller vlerësoi se qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia e Veriut kanë plotësuar detyrat e lëna nga qershori i vitit të shkuar në Këshillin Europian.
Sipas Juratoviç-it, Ballkani i integruar, plotëson hartën e Bashkimit Europian.
" Për mua, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk është zgjerim, por plotësim i hartës së BE-së. I kam ndjekur me vëmendje zhvillimet politike ne Shqipëri dhe dua ta them shumë qartë se bojkoti i parlamentit është kundër parimeve të demokracisë. Lufta politike duhet të zhvillohet vetëm në Parlament. Unë jam i krishterë dhe për mua respekti ndaj Parlamentit është po aq i shenjtë sa respekti ndaj Kishës. Ata që bëjnë këto veprime dhe protesta të dhunshme nuk e duan Shqipërinë në BE. E kam thënë edhe për raste të ngjashme në vende të tjera të Ballkanit, një parti mund të jetë kundër partisë që është në Qeveri, por nuk mund të jetë kundër interesit të vet kombëtar."



