
Lundrimet me traget nga Porti i Durrësit drejt Barit do të anulohen sot, pas parashikimeve për mot të keq në orët në vijim. Ndërkaq bëhet me dije se do të funksionojë normalisht linja Ankona-Durrës.
Në njoftim thuhet se: “Referuar parashikimeve të Kapitenerisë së Portit të Durrësit mbi situatën e motit në orët në vijim, Kompanitë e lundrimeve bëjnë të ditur se dy tragetet që ishin parashikuar mbrëmjen e sotme nga Porti i Durrësit drejt Barit, do të anulojnë lundrimet.
Pra, si pasojë e kushteve të motit që pritet të përkeqësohen në orët e ardhshme, nuk do të ketë nisje të trageteve sot, dt.04.02.2023, nga Durrësi drejt Barit dhe anasjelltas. Linja Durrës-Ankona-Durrës do të vazhdojë normalisht. Do ju mbajmë të informuar për çdo informacion në vijim”.



