Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, kërkon ngritjen me urgjencë të një komisioni qeveritar për të vlerësuar situatën e krijuar në Zharrëz të Fierit.
Vasili tha se situata e grevistëve të Zharrëz është e rëndë dhe duhet të fillojë ndërhyrja.
“Koha nuk pret për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Duhet të ngrihet me urgjencë komisioni qeveritar për situatën e krijuar në Zharrëz në mënyrë që të fillojë ndërhyrja emergjente”, tha Vasili, duke theksuar se “gjendja e grevistëve të urisë është e rëndë dhe letra e deputetëve shpreh shqetësimet e komunitetit”.
Banorët e Zharrëzës janë futur prej gjashtë ditësh në një grevë urie. Ata kërkojnë ndërprerjen e shpërthimeve të kompanisë së naftës “Bankers” dhe dëmshpërblimin për shtëpitë e dëmtuara.



