Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma të premten është shprehur se sezoni turistik për këtë vit ka qenë i vështirë, specifik, jo i zakonshëm dhe krejt i ndryshëm nga sezonet e tjera për shkak edhe të pandemisë së koronavirusit.
I ftuar në studion e lajmeve përmes një lidhje me Skype për televizionin TVT, Gurma foli edhe për ankesat e shumta për menaxhimin e plazheve këtë vit në qytetin e Sarandës, pasi shumë turistë të huaj dhe vendas janë dëbuar me argumentin se plazhet janë private.
“Patjetër që kjo nuk është qasja e duhur karshi turistëve dhe aq më tepër atyre të huaj, por unë do të thoja se nuk është ky standardi i ofrimit të biznesit të turizmit nga bizneset turistike dhe aq më tepër nga të gjitha strukturat e pushtetit lokal. Duke pasur dy raste sporadike të cilat nuk përbëjnë tërësinë e asaj që Saranda ka orfuar sivjet. Të gjithë operatorët që ofrojnë turizëm, si dhe strukturat e pushtetit lokal kanë qenë të angazhuar që cilësia e shërbimit të jetë ndryshe nga vitet e tjera edhe pse ishte një vit mjaft i vështirë. Mund të shtoja se të gjitha opinionet që na kanë ardhur kanë qenë pozitive”, tha kryebashkiaku.
Në lidhje me heqjen e 20% që përcaktohej si plazh publik edhe në plazhet që u jepej me qira subjekteve të ndryshme private, Gurma deklaroi se panorama e përgjithshme nuk është fiks ashtu, pasi për ta nisur nga numri i plazheve publike në territorin e Bashkisë Sarandë nuk ka qenë vetëm një plazh i vetëm publik, por kanë qenë 5-së të tillë me një sipërfaqe totale prej 12 mijë metër katror, ndërkohë sipërfaqja totale e të gjitha stacioneve të plazhit përgjatë vijës bregdetare ka qenë tek 70-72 mijë metër katror.
“Ne kemi shtuar numrin e stacioneve të plazhit, krahasimisht me vitet e tjera ku ka qenë një numër tek 99-100, por që sivjet kanë operuar 134 stacione plazhi nga të cilat 35 janë legalizuar dhe janë futur në hartën e stacioneve të plazhit në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Turizmit dhe me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Të dyja këto institucione, unë do të thoja, edhe për sa i përket plazheve publike ka qenë e përcaktuar në aktin normativ të nxjerrë nga qeveria që këtë vit të gjitha stacionet e plazhit do të operojnë 100% në hapësirën e tyre dhe nuk do të ishte ajo fasho e 20% që ka qenë vitet e tjera, por me kushtin e vetëm që të rritej sipërfaqja e plazheve publike të menaxhuara nga pushteti lokal. Ne kemi bërë pikërisht këtë, atë pjesë të cilën ua kemi hequr nga 20% ose ua kemi dhënë subjekteve private të stacioneve të plazhit e kemi administruar në stacione të mirëfillta publike plazhi në sipërfaqen 12 mijë kilometër katror në 5-së stacione plazhi publike të administruara nga pushteti lokal”, u shpreh kreu i Bashkisë Sarandë.
Gurma theksoi se këto plazhe janë të mjaftueshme, pasi nëse do të bëhej llogaria ato pesë plazhe mbulojnë atë 20% që iu merret stacioneve të plazheve private, duke shtuar më tej se kjo mënyrë ka një gjë të mirë se këto plazhe menaxhohen nga bashkia dhe janë të përqëndruara.
“Besoj, duke u nisur edhe me fluksin që kishim sivjet këto hapësira e kanë përballuar më së miri kërkesat e qytetarëve dhe ne kemi gjykuar dhe vlerësuar që pjesa kryesore e plazheve publike të jetë në ato pika tradicionale të plazheve që kanë qenë edhe më përpara”, deklaroi ai.
Kryebashkiaku theksoi se kjo hapësirë do të shtohet, për shkak të ndërtimit të një tjetër plazhi publik, i cili nuk është bërë shumë i aksesueshëm ose nuk është certifikuar dhe sipas tij ky është plazhi që përfshin shëtitoren dhe që po ndërtohet aktualisht.
Ai bëri me dije se për shkak se aty është kantier ndërtimi, ende nuk është futur në hartën e stacioneve të plazhit dhe prandaj nuk është frekuentuar nga pushuesit.
“Ato hapësira që ne kemi mundësi të shrytëzojmë për të dhënë plazhe publike ne i kemi shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet tona dhe i kemi vënë, madje ne iu kemi hequr disa bizneseve këtë mundësi që vitetet e tjera kanë operuar si plazhe private”, tha Gurma.
Ndërsa theksoi se një pjesë e madhe e hoteleve duhet të kenë hapësirat e tyre në plazh.
“Duhet kuptuar diçka, nga të gjitha stacionet e plazhit bashkia është përfituese. Në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër ato kontribuojnë edhe në harten e bashkisë. Besoj se vitin që vjen do të kemi sipërfaqe më të shtuar të plazhe publike”, tha Gurma.
Kryebashkiaku i Sarandës theksoi se për këtë sezon fluksi i pushuesve nuk kishte atë dyndje të mëparshme dhe jo vetëm të atyre nga Shqipëria, por edhe nga vendet e tjera.
“Këtë vit në Sarandë ishim në shifra mjaft të ulëta vizitorësh, veçanërisht muajt qershor dhe korrik shënuan një numër minimal vizitorësh, ndërsa muaji gusht pati një përmirësim të situates”, deklaroi ai.



