
Presidenti Joe Biden dhe Xi Jinping i Kinës janë duke eksploruar mundësinë e takimit ballë për ballë, tha një zyrtar i lartë i administratës pasi udhëheqësit kaluan më shumë se dy orë të enjten duke biseduar për të ardhmen e marrëdhënieve të ndërlikuara, me tensionet për Tajvanin që u shfaqën edhe një herë si një pikë përplasjeje.
Zyrtari nuk pranoi të identifikohej për të folur rreth bisedës. Presidenti Biden e bëri bisedën telefonike nga Zyra Ovale, ku iu bashkuan ndihmësa të lartë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.
Kur zoti Biden ishte nënpresident, ai kaloi orë të tëra me zotin Xi në Shtetet e Bashkuara dhe në Kinë, një përvojë që ai e kujton shpesh ndërsa flet për mundësitë e të dy vendeve për konflikt dhe bashkëpunim. Megjithatë, ata nuk janë takuar personalisht që kur Joe Biden u bë president vitin e kaluar.
Një tensionim i përsëritur është për shkak të Tajvanit, i cili vetëqeveriset prej dekadash, por që Kina e konsideron si pjesë të territorit të saj, një pretendim i theksuar nga zoti Xi të enjten.
Kina e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që duhet të bëhet pjesë e vendit dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të forcës për ta arritur këtë.
Sipas politikës së një Kine, Uashingtoni nuk e njeh Taipein në mënyrë diplomatike. Por Shtetet e Bashkuara i shesin armë ishullit të vetëqeverisur në mënyrë demokratike në mënyrë që ai të mund të mbrohet.
Shtëpia e Bardhë tha se përveç Tajvanit, të dy udhëheqësit diskutuan një sërë çështjesh të tjera, duke përfshirë ndryshimin e klimës dhe sigurinë shëndetësore.



