
Të paktën 15 persona kanë vdekur në Indonezinë qendrore për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që shkatërruan dhjetëra shtëpi, njoftoi Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB).
Rrëshqitjet e dheut, të shkaktuara nga shiu i dendur, goditën zonën Luwu mbrëmjen e së premtes, në provincën Jugore Sulawesi, tha zëdhënësi i BNPB, Abdul Muhari.
“Katërmbëdhjetë banorë humbën jetën për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në zonën Luwu, provincën Sulawesi të Jugut,” tha Muhari, duke shtuar se më shumë se 100 shtëpi u dëmtuan rëndë dhe 42 u shkatërruan plotësisht. Disa rrugë dhe një urë kanë pësuar dëmtime.
Në një zonë tjetër të provincës Sulawesi të Jugut, një person vdiq dhe dy të tjerë u plagosën.
Më shumë se 100 persona janë evakuuar në xhami ose vende të tjera të sigurta dhe autoritetet janë ende duke u përpjekur të evakuojnë 1300 familje të tjera të prekura.



