Kryetari i shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm, Albert Nasto, thotë se për të hapur një biznes është fare e thjeshtë, pasi mjaftojnë 48-72 orë, ndërsa për të mbyllur një biznes në Shqipëri është një proces shumë i gjatë dhe duhet të plotësosh shumë procedura.
Në emisionin “MCN Economy” ai deklaroi se së pari, për të mbyllur një biznes nuk duhet të kesh gjoba.
Në këtë drejtim shtoi se shumë biznese kanë mbyllur bizneset e tyre, qepenat, por vazhdojnë të paguajnë taksa, për shkak se kanë një borxh diku që nuk e përballojnë dot dhe nuk e mbyllin dot biznesin.
Ka kohë që biznesi ndodhet në vështirësi shumë të madhe për të mbyllur biznesin e vetë. Nëse unë dua të shpall falimentin, unë duhet të paguajë gjithë detyrimet që kam.
Ky është një ngërç shumë i madh pasi sorollat bizneset. Përderisa unë kam mbyllur qepenin, duhet të mbyll biznesin.
Të tilla biznese janë me mijëra në Shqipëri. Detyrimet tatimore për vitin që lamë pas mbi 155 miliardë lekë, janë një shifër alarmante.
Administrata tatimore ose është e paaftë, ose e politizuar dhe mban të përkëdhelurit e vetë që këta nuk paguajnë detyrimet që duhet të paguajë.
Kjo shifër 1.6 miliardë dollarë që ka borxh biznesi ndaj shtetit, nuk e ka biznesi i vogël, por 3-4 kompani shumë të mëdha që nuk kanë paguar detyrimet që duhet të paguanin, që nga taksa vendore, deri në detyrimet shtetërore që ka biznesi i madh.
Nuk janë më shumë se 4-5 kompani që zënë bazën kryesore. Kompanitë e mëdha vazhdojnë punojnë dhe nuk shlyejnë detyrimet, kur ato duhet të bllokoheshin.
Bizneset e mëdha, bizneset e përkëdhelura dhe ata që kanë korruptuar administratën, nuk paguajnë.
Biznesi i madh po favorizohet, po shkatërrohet konkurrenca.
Janë 3-4 kompani të përkëdhelura, të korruptuara, të lidhura me oligarkinë, apo qeverinë në pushtet, janë të lidhur dhe nesër mund të bëhet ndonjë amnisti që t’u shlyhen të gjitha.
Shohim që biznesi i vogël siç është goditur nga viti 2014 deri më sot, që më bllokohet biznesi dhe llogaritë bankare dhe favorizohen 4-5 kompani të mëdha që krijojnë një borxh të madh dhe ngërç si për investimet e tjera.
Nëse janë 1.6 miliardë dollarë për të paguar, këto kompani zënë 90% të këtij borxhi.
Administrata tatimore që mbledh taksat e ka periodike punën dhe nuk mund të më bllokojë aktivitetin dhe llogarinë bankare dhe më mbyll aktivitetin, të veprojë dhe për kompanitë e mëdha.
Nëse kanë kaq milionë euro për të paguar dhe nuk i kanë paguar, këtu ka diçka, ose është korrupsion, ose selektivitet i madh politik.
Ose ka marrë ‘Ok’ nga Kryeministri ose ministri që të mos paguajë se do bëhet një amnisti fiskale dhe do i falë.
Nëse nuk kthehen në arkën e shtetit, ata zotërinj që e kanë për detyrë të kontrollojnë duhet të shkojnë në burg.



