
Aktivistja për mbrojtjen e mjedisit, Besjana Guri, e angazhuar në zbatimin e Fushatës ‘’Të shpëtojmë Zemrën Blu të Europës”, tha në edicionin e lajmeve të MCN se peticioni që kërkon shmangien e ndërtimit të HEC-eve mbi Vjosë dhe mbrojtjen e lumit ka mbledhur deri tani rreth 54 mijë firma.
Ne kemi nënshkruar një peticion online, më shumë se 54 mijë firma. Kërkojmë shpalljen e Vjosës park kombëtar. Akt-padia është dorëzuar në Gjykatën Administrative dhe procesi pritet të nisë së shpejti.
Të kemi mundësi ta mbajmë natyrën e saj të egër dhe të bashkëjetojmë në mënyrë miqësore me të.
Sipas Gurit, studime që po bëhen në luginë i kanë dhënë më shumë zë kauzës.
Grupet e ekspertëve kanë vite që studiojnë Vjosën. Janë identifikuar për herë të parë specie në luginën e Vjosës. Aty ka një ekosistem shumë të pasur me gjallesa e shpendë. Kjo na ka ndihmuar të argumentojmë pse kjo luginë duhet të marrë statusin më të lartë të mbrojtjes.



