Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur rastet e reja me COVID-19 për 24 orët e fundit. Sipas Eugena Tominit, në 24 orët e fundit janë testuar 171 persona, mes të cilëve vetëm shtatë kanë rezultuar pozitiv. Në total numri i të infektuarve ka shkuar në 789.
Sakaq raportohet se në spitalin infektiv 1 dhe 2 janë të shtruar gjithsej 31 pacientë, mes të cilëve shtatë në terapi intensive. Sipas Tominit pjesa më e madhe e pacientëve aktivë po ndiqen nga mjekët e familjes. Ndërkohë në total janë shëruar 519 pacientë, ndërsa 239 janë aktiv.
Rastet e reja, 7, janë në tre rrethe të vendit. Pesë prej tyre janë në Tiranë, një në Krujë, ndërsa një në Kukës.
Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive, është si vijon:
Tiranë 90
Shkodër 20
Krujë 89
Fier 1
Kurbin 24
Korçë 1
Elbasan 2
Kukës 5
Lezhë 1
Lushnje 1
Mirditë 2
Berat 2
Mat 1
Nga e hëna do të ketë një lehtësim të masave, por Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale.



