Ndërsa në Kosovë, Vetëvendosje dhe LDK janë endë në proces negociatash për arritjen e koalicionit qeverisës, mediat zbulojnë detaje të ofertës që fundit që Albin Kurti i ka bërë Isa Mustafës. Siç raporton sot “Koha Ditore”, e cila u referohet burimeve të saj brenda grupit parlamentar të LDK-së, Albin Kurti i ka ofruar Mustafës një ministri shtesë, me të drejtën për të zgjedhur se cilën. Oferta është paraqitur në takimin e fundit që Kurti dhe Mustafa patën të enjten e kaluar. Vetëvendosje është pajtuar edhe që propozimi i kandidatit për president t’i takojë Lidhjes Demokratike. Por kjo e fundit ka kërkuar që të marrë kryeparlamentarin për vitin e parë dhe pastaj t’ia kthejë Vetëvendosjes, pasi të zgjidhet presidenti nga radhët e LDK-së.
Ky propozim është refuzuar nga Albin Kurti i Vetëvendosjes, nga radhët e të cilës dy javë më parë u zgjodh Glauk Konjufca në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“Ndonëse ky propozim është bërë në takimin Kurti-Mustafa, burime të gazetës brenda grupit parlamentar të LDK-së dhe Kryesisë kanë thënë se çështja e rotacionit të kryeparlamentarit nuk ka qenë paraprakisht pjesë e propozimeve brenda strukturave të LDK-së. Këto burime kanë thënë se në takimin e fundit që u parapriu tri takimeve me VV-në, nënkryetarja Vjosa Osmani ka propozuar që “kryeparlamentari të kompensohet me njërën nga ministritë e rëndësishme””, shkruan sot “Koha Ditore”.



