
Parlamenti do të mblidhet sot pasdite në një seancë jashtë radhe, për të miratuar dekretimin e ministrave të rinj.
Seanca është kërkuar nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Shtatë ministrat e dekretuar nga presidenti Meta pritet të votohen për të marrë zyrtarisht detyrën.
“Bazuar në nenin 74, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës dhe në nenin 42, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, me kërkesë të Kryeministrit, njoftojmë se Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm. Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë urdhrin nr. 1, datë 15.1.2019 me rendin e ditës të përcaktuar. Bashkëlidhur kërkesa e Kryeministrit dhe urdhri i Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Ndërkohë, pritet dekreti i Metës për shkarkimin e Ditmir Bushatit nga posti i ministrit të Jashtëm. Një ditë më parë, kryeministri Rama u shpreh se do ta marrë vetë de jure drejtimin e Ministrisë së Jashtme.
Ministrat e rinj
Besa Shahini në vend të Lindita Nikollës
Anila Denaj në vend të Arben Ahmetaj
Bledi Çuçi në vend të Niko Peleshit
Elva Margariti në vend të Mirela Kumbaros
Eduard Shalsi në vend të Sonila Qatos
Elisa Spiropali, Ministre për Marrëdhënie me Parlamentin
Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në vend të Damian Gjiknurit
Erion Braçe zv/kryeministër në vend te Senida Mesit



