Rusia dhe Ukraina njoftuan të hënën se këmbyen disa qindra të burgosur. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi përmes një komunikate se të dy vendet liruan nga 150 të burgosur të luftës secili.
Ndërkaq, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se Ukraina arriti të kthejë në shtëpi 189 të burgosur lufte në këtë këmbim të fundit të burgosurish me Rusinë.

Sipas autoriteteve ruse, të burgosurit rusë janë liruar në territorin e Bjellorusisë, prej nga do të transferohen në Rusi.
Ky ishte shkëmbimi i 59-të i të burgosurve që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë dhe një nga më të mëdhenjtë deri më tani.
Të liruarit përfshinin ushtarë ukrainas, roje kufitare, roje kombëtare dhe ushtarakë të marinës.
Shumë prej tyre kishin qenë në robëri për më shumë se dy vjet e gjysmë dhe zyrtarët ukrainas thanë se disa ishin kthyer me sëmundje dhe lëndime të rënda.
Për disa familje, pasigurisë së dhimbshme i ka ardhur fundi. Por mijëra ukrainas të tjerë mbeten në robëri në Rusi dhe pjesë të okupuara të Ukrainës.
Ukraina nuk publikon numrat e të burgosurve të luftës që mbahen nga Rusia, por totali mendohet të jetë më shumë se 8,000.



