
Protestuesit janë mbledhur para para kryeministrisë me thirrjet "Rama Ik".
Kryetari Basha ka mbajtur një fjalim para protestuesve, fjalim i cili ka qenë i shoqëruar nga zhurma e lëndëve plasëse, kurse atmosfera e mbushur me tym.
Ai u është drejtuar protestuesve të mos qëllojnë mbi policinë.
Protestuesit kanë hedhur bomba me molotov drejt kryeministrisë, kurse forcat e policisë kanë hedhur mbi ta ujë dhe gaz lotsjellës.
Pas kësaj Lulzim Basha ka marrë fjalën sërish, duke thënë se protesta do të vazhdojë.
Nuk ka gaz lotsjellës e brutalitet policor ta ndalë e ta shpërndajë vullnetin tonë sot. Bashkohuni miqtë e mi, vëllezër e motra. Protesta vazhdon e do të vazhdojë. Beteja do të vazhdojë deri në fitore. E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa. Asgjë më kriminale nuk ka se pasi të vjedhësh taksat e popullit ti përdorësh ato për të helmuar protestuesit. Prandaj si garancia e vetme për kushtetutë dhe ligj, me një kërkesë, me një mision, me një qëllim, “E duam Shqipërinë sie gjithë Evropa
deklaroi lideri i opozitës.
Ndërkohë protestuesit kanë vazhduar të hedhin lëndë plasëse, zjarr, bojë e sende të tjera drejt godinës së Kryeministrisë.
Disa prej protestuesve janë përpjekur të prishin gardhin e hekurt rreth godinës qendrore.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përmes një postimi në Twitter ka shkruar: "Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur!
Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!"
Ndërkohë, presidenti Ilir Meta po e ndjek me shqetësim protestën. Zyra për shtyp e Presidencës thotë se Presidenti i Republikës u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve.



