Ndonëse nuk ishte subjekt zgjedhor në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Partia Demokratike do të ndjekë çdo hap ligjor për ta demaskuar manipulimin me pjesëmarrjen e votuesve. Në një intervistë për televizionin TemA, sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso u shpreh se çdo votë fiktive do të faktohet.
"Të jeni të bindur se të gjitha hapësirat e tjera ligjore që kodi zgjedhor, që ligji penal ia njeh opozitës, që i a njeh çdo subjekti tjetër, qoftë ky në garë ose jo. Të jeni të bindur që të gjitha do të shfrytëzohen dhe shumë shpejt, të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, të gjithë ata që kanë marrë guximin të falsifikojnë numrin e pjesëmarrësve, të falsifikojnë vullnetin e tyre të shprehur me votë, ose vullnetin e tyre të shprehur me mospraninë e tyre në qendrën e votimit, të falsifikojnë mbi falsifikimet që kanë bërë komisionerët e qendrave të votimit (këtu flas për ata të cilët kanë numëruar ose presupozohet që të kenë numëruar votat) të jeni të sigurt që shumë shpejt do të jenë që të gjithë para ligjit nga më i pari, deri tek i fundit."
Kaso ka treguar për televizionin TemA dyshimet e tyre se si komisionerët e Partisë Socialiste kanë shtuar fiktivisht votat në kuti.
"Kur komisionerët e vetëm, pra komisionerët e majtë, mbushin në mënyrë fiktive procesverbalet e mbylljes së votimit, dhe po shtonin edhe vota në kuti, pra e kishin gjithë mundësinë, duke qenë se ishin të vetëm, të pabalancuar në këto komisione nga komisionerë të djathtë të Partisë Demokratike ose të opozitës në përgjithësi dhe duke pasur në dorë edhe firmën, edhe vulën, edhe numrin e kartave të identitetit të shumë zgjedhësve të cilët kishin zgjedhur që të mos vinin të votonin. Dhe faza e tretë e manipulimit të zgjedhjeve (pra është e ndarë në tri etapa) ka qenë mbasi u mbyllën kutitë dhe këto kuti janë çuar nëpër vendet e numërimit të votave ku një grup tjetër komisionerësh socialistë, pra anëtarët e grupit të numërimit kanë shtuar në mënyrë fiktive votat për kuti. Pra, nuk kanë numëruar në mënyrë të saktë."
Sipas Ivi Kasos, komisionerët e mazhorancës kanë shpresuar se kutitë nuk do të hapeshin asnjëherë.
"Shpresa e komisionerëve socialistë ka qenë që duke qenë të vetëm në këtë proces votimi njëpartiake dhe moniste (siç i kemi konsideruar ne) nuk do të ketë kush t’i ankimojë në një proces zgjedhor normal. Shpresë e tyre është që: neve kemi vetë edhe votat, neve kemi vetë administrimin e procesit, neve kemi edhe KQZ-në, e cila nuk do t’i hapë kutitë."
Ndërkohë, ditën e kësaj të enjteje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nis procedurën për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në bashki, të cilat kanë më shumë se një KZAZ.



