Njohësi i Çështjeve të Ekonomisë Enea Janko, duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi draftin e qeverisë për amnistinë fiskale, u shpreh i mendimit që duhet të merret “OK”-in nga BE dhe institucionet ndërkombëtare para se pr.ligji të kalojë në Kuvend.
Janko vë në dukje se nuk janë emigrantët target grupi kryesor i amnistisë, pasi është e vështirë të kenë kursyer 2 milionë euro.
Janko thekson se në parim amnistia është gjë e mirë, por duhet të sigurohet që paratë nuk do të vijnë nga bota e krimit dhe që s’do të kemi më falje për evazionin fiskal në të ardhmen.
Drafti i publikuar në qershor ka disa probleme, për shkak të këtyre problemeve BE dhe institucionet ndërkombëtare kanë shprehur rezervat e tyre. Janë këto rezerva që e shtynë qeverinë të shtyjë projekt-ligjin për miratim. Projekt-ligji i parë ka shumë probleme. Problemi kryesor është që duket sikur u lejon individëve që merren me politikë, apo janë të inkrimnuar të pastrojnë para. Shqipëria gati çdo vit është futur në hartën e vendeve ku bëhen pastrim parash, është shumë e rëndësishme të shmanget kjo gjë në draftin e qeverisë.
Nuk mendoj që janë emigrantët target grupi kryesor që do të ndihmohet. Masa më e madhe e emigrantëve punojnë për të siguruar shpenzimet e jetesës dhe është e vështirë të kenë kursyer 2 milionë euro.
Në një farë mënyrë e cenon konkurrencën. Parashikon edhe amnistinë e të ardhurave të padeklaruara nga kompanitë dhe individët. Ndërkohë disa kompani dhe individë kanë paguar shtetin në mënyrë të rregullt. Por po të jetë për kompanitë apo individët unë them le të bëhet. Me 7 për qind tatim do t’i afrohet barazisë. Por duhet të sigurohet që një amnisti e tillë s’do ndodhë më. Në parim është mirë të bëhet një amnisti fiskale, nëse ligji dhe procedurat garantojnë që nuk amnistohen para që vijnë nga aktivitete kriminale, që do forconin grupet kriminale në Shqipëri. Duhet të sigurojë miratimin nga institucionet dhe partnerët ndërkombëtar. Nuk jam dakord që pa marrë OK-in nga ata të kalojë. Duhet të sigurojë që të mos ndodhë më të ketë evazion fiskal dhe shmangie nga legjislacioni”.
Sipas Jankos për shumicën e popullsisë në Shqipëri, inflacioni nuk është në vlerat 7-8 për qind, por 15-20 për qind. Ai u shpreh në një linjë me Konfindustrian sa i përket bordeve, duke u shprehur se nuk mund të vazhdojmë më me struktura të tilla vendimmarrëse.
Me situatën inflacioniste që është globale, pati një frenim të rritjes ekonomikë, qoftë në këto vende, qoftë në rajonin tonë dhe Shqipëri. Faktorët dhe kushtet do të frenojnë rritjen ekonomike. Inflacioni thuhet se është 7-8 për qind, por unë mendoj që për 70 për qind të popullsisë inflacioni është 15-20 për qind. Të gjitha këto do të bëjnë që rritja ekonomike të mos jetë e lartë, por e rëndësishme është të mos bien në recesion. Kompanitë shqiptare edhe brenda vendit nuk mund të konkurrojnë. Kostot e prodhimit janë goxha të larta krahasuar me vendet e rajonit. Lëndët e para, çmimet e karburantit, ujit, janë më të larta në Shqipëri.
E mbështes qëndrimin e Konfindustrias. Bordet ku ka përfaqësues të vet kompanive më duken jo normale. Nuk mund të vazhdojmë gjatë kështu me borde që caktojnë çmimet e karburanteve dhe produkteve të tjera”.



