Fermeri Alban Çakalli, për rastet e bllokimit të pjeshkëve dhe specave me pesticide, thotë se duhet punuar me këshillimin ndaj fermerëve.
Në një intervistë për MCN TV, ai deklaroi se janë disa zona në Shqipëri të cilat nuk duhen përdorur për bujqësi, për shkak të nivelit të madh të ndotjes së tokës, ujit dhe ajrit.
Çakalli ngre shqetësimin edhe për mos shpërndarjen e listës me pesticidet e ndaluara nga ana e Ministrisë së Bujqësisë në të gjitha farmacitë bujqësore.
Është e vërtetë që një pjesë e fermerëve nuk këshillohen me agronomët, kjo prej faktit se numri i agronomëve është shumë i paktë në raport me numrin e fermerëve.
Është shumë e vështirë të këshillosh të gjithë fermerët, por dhe fermerët nuk kanë faj se nuk janë këshilluar. Shqetësues është fakti se pjesa më e madhe e farmacive bujqësore, nuk kanë agronom të punësuar.
Shpesh japin receta sipas mendimit personal, jo atij profesional. Jo vetëm fermerët janë të painformuar për pesticidet e ndaluara, por mendoj se as agronomët.
Çdo produkt që ndalohet nga Bashkimi Europian, duhet të njoftohet nga Ministria e Bujqësisë në të gjithë farmacitë bujqësore, me një listë të produkteve të ndaluara.
Nuk besoj se ministria e ka shpërndarë listën në çdo farmaci bujqësore për të vënë në dijeni agronomin dhe fermerin.
Pjesa më e madhe e kultivimit të pjeshkëve në Shqipëri është zona e lumit Shkumbin, nga Elbasani, në Rrogozhinë dhe pjesa më e madhe ndodhet në Peqin.
Në dijeninë time nikeli nuk përdoret si pesticid, mund të ketë ardhur për shkak të tokës së kontaminuar, ujit të kontaminuar dhe ajrit.
Ajo zonë është zonë industriale e madhe dhe fermerët mund të përdorin ujin i cili mund të jetë i ndotur me nikel dhe fermerët nuk kanë dijeni.
Duhej hartuar një zonë me zona risku bujqësor si ish-superfosfati në Fier, Azotiku në Laç apo zona të tjera që nuk duhen përdorur për prodhime bujqësore.
Lumenjtë tanë në pjesën fundore të tyre, kryesisht në ultësirën perëndimore janë të ndotur dhe nuk duhen përdorur për ujitje në bujqësi. Nuk kemi laboratorë të posaçëm për kontroll dhe analiza.
Lista nuk besoj mbahet e fshehtë, por nuk janë të angazhuar shumë dhe nuk e shikojnë si diçka me rëndësi sigurinë ushqimore. 60% e të punësuarve në Ministrinë e Bujqësisë janë jashtë profilit të tyre profesional dhe kjo sjell problematika të ndryshme.
Mund të ketë arkitektë, në një kohë që në Ministrinë e Bujqësisë duhet të kishim më shumë veterinerë, agronomë, në mënyrë që këto problematika të ishin më të pakta. Kur specialistët janë të fushës, vëmendja duhet të ishte më e madhe.
Duhet të fillojmë me këshillimin e fermerëve, me përdorimin e pesticideve me këshillim.
Masat paraprake duhet të jenë të shtrirë horizontalisht dhe jo të fajësohet vetëm fermeri.
Qytetarët duhet të reagojnë për sigurinë ushqimore dhe vetë institucionet do vendosen në lëvizje, që të bëjnë më të mirën për sigurinë tonë.
Që nga 17 qershori kemi 10 kamionë të bllokuar me speca në Slloveni, Poloni, Kroaci dhe vëmendja fokusohet vetëm tani.
Fermerët duhet të ndihmohen me përdorimin e këshillimit dhe me grante. Pesticidet nuk përdoren për të rritur prodhimin, por për ti mbrojtur nga insektet. Ka një pjesë që abuzojnë pasi shikojnë fitimet e momentit.
Ka fermerë që janë të vetëdijshëm për abuzimet që bëjnë. Nuk besoj se nikeli përdoret si produkt për mbrojtjen e bimëve, por mund të jetë nën tokë.
Pjeshka është e vetmja pemë frutore që nikelin e akumulon që në frut.
Në portokall nuk është e njëjta gjë, pasi nikeli nuk përthithet njëlloj. Edhe qershia është shumë e ndjeshme ndaj nikelit dhe atë do e japë në frut.
Larjet për eliminimin e pesticideve janë teori sa për të kaluar për momentin, se pjesa më e madhe e pesticideve, nuk kanë as aromë, as ngjyrë.
Duhet të adresohemi tek ato prodhime që janë të certifikuara. Duhet të lidhemi me ferma dhe fermerë që kanë një besueshmëri dhe emër, duhet të blejmë tek njerëz të afërm, të lidhim kontakte të ndryshme me fermerë.
Fermeri shqiptar është fermeri i vetëm i paorientuar në gjithë fermerët e Europës dhe në bazë të konsumit orienton dhe mbjelljet. Këtu fermeri është i paorientuar fare.



