“Polonia po përgatitet për më të keqen, për përballimin e një fluksi të mundshëm refugjatësh nga Ukraina, në rast të një pushtimi të mundshëm rus”.
Është kjo deklarata e bërë këtë të mërkurë nga Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, pavarësisht deklaratave të Moskës zyrtare për reduktim të grumbullimit të trupave në kufi me Ukrainën.
Morawiecki tha se pranë kufirit lindor me Ukrainën, do të përgatitet infrastruktura e nevojshme për pritjen e refugjatëve, të cilët do të zhvendosen më tej drejt destinacioneve të tjera.
Ai deklaroi se në ditët në vijim do të mbledhë një ekip, i cili do të merret me çështjet e logjistikës, transportit dhe infrastrukturës.
“Ne duhet të jemi të përgatitur për më të keqen. Do të ndihmojmë ukrainasit që të zbusin pasojat e një sulmi të mundshëm rus”, u shpreh Kryeministri polak.
Rusia njoftoi një tërheqje të pjesshme të trupave të martën dhe tha se kjo do të vazhdojë, duke i kthyer forcat e armatosura në pozicionet e tyre normale brenda 3-4 javëve.



