
Qindra qytetarë janë mbledhur sot para Kryeministrisë duke protestuar kundër rritjes së çmimeve të hidrokarbureve dhe ushqimeve.
Qytetarët kërkojnë nga qeveria Rama që të ndërmarrë një paketë masash, duke theksuar se rritja e çmimeve është e papërballueshme. Protestës i janë bashkuar edhe fermerët të cilët kërkojnë subvencione dhe uljen e çmimit të naftës.
Në fjalën e mbajtur njëri prej qytetarëve tha:
Ju duhet ta kuptoni që e vetmja mënyrë që kjo qeveri të bëjë një punë të përgjegjshme duhet që qytetarët të jenë përditë para kësaj godine derisa çmimet të bëhen të përballueshme për qytetarët. Ndërsa kryeministri thotë se nuk ndërhyjë dot te privati, ju i shikoni se si i prish shtëpitë private. Nëse ka një moment kur shteti duhet t’u gjendet qytetarëve është ky.
I pranishëm në protestë, aktori i humorit Florian Binaj u shpreh:
Kjo fillon sot por nuk duhet të mbarojë me kaq. Nëse ne protestojmë këtu liderin e ball Kazanit e kemi në Dubai. Ndërsa në Ukrainë po zhvillohet luftë presidenti i Ukrainës i jep shpresë njerëzve , ndërsa ky i jonë thotë shtrëngoni dhëmbët
Aktivistja Edlira Çepani theksoi se me rritjen e çmimit të karburanteve rritet edhe çmimi i bukës si dhe transporti publik për qytetarët. Qytetarët kanë ironizuar qeverinë me pankarta ku shkruhet: “Kur do e hani darkën e radhës te Nusreti?” apo “Jo të gjithë pastrojnë para”.



