Gjatë takimit me drejtues të Partisë Demokratike në degën 9 në Tiranë, Kryetari i kësaj force politike Lulzim Basha e vendosi theksin te zbatimi i ligjit të dekriminalizimit. Ai tha se pa zbatimin e ligjit Shqipëria nuk mund të ecë përpara.
“Po të kesh Artur Bardhin në Kurbin, Elvis Roshin në Kavajë, Armando Prengen në Laç, Arben Ndokën në Lezhë e kështu me radhë nga jugu në veri, çfarë tjetër mund të presësh?
Kur kriminalizon shtetin, kur vendos trafikantët e dënuar në poste kyçe, kur këta të diktojnë përmes bashkëpunëtorit të tyre më të ngushtë, ministrit të brendshëm se kë do vesh shef policie, kë do vesh drejtor policie?
Kriminalizimi i shtetit nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri i parapriu kthimit të Shqipërisë në një hambar droge. Kjo do të thotë se pa zbatuar reformën më të rëndësishme në vend ligjin e dekriminalizimit, ne nuk mund të ecim përpara, nuk mund të ketë as zgjedhje, as procese të tjera normale. Siguria mirëqenia janë në rrezik” u shpreh Basha.
Basha përsëriti akuzat ndaj qeversië për implikimin e saj në afera korruptive dhe për lidhjet e saj më botën e drogës dhe krimit.



